BALLINA BreadCrumbTrailer Ajri

Ajri

Ajri është një element mjaft i rëndësishëm për shëndetin e njeriut dhe në përgjithësi i mjedisit që na rrethon, i cili vazhdimisht është nën ndikim të ndotjes. Edhe pse ndotja e ajrit vjen nga aktivitetet njerëzore, ai gjithashtu mund të ndikohet edhe nga fenomenet natyrore.

Ndotja e ajrit ndodh kur në ajër lirohen substanca në sasi që mund të dëmtojnë  shëndetin e njerëzve, kafshëve dhe bimëve ose mund të shkaktojnë dëme materiale. Disa ndotës të ajrit mund të kenë edhe ndikime globale - p.sh. rritja e efektit të gazeve  serrë ose dëmtimi i shtresës së ozonit.
 
 Të dhënat për cilësinë e ajrit në Kosovë janë të mangëta për shkak të mungesës së rrjetit të monitorimit të cilësisë së ajrit. Po ashtu, ende nuk është bërë inventarizimi i ndotësve dhe nuk është përpiluar kadastra e ndotësve të ajrit. Si rrjedhojë e kësaj gjendjeje nuk mund të flitet me kompetencë për  nivelin aktual të ndotjes së ajrit dhe cilësinë e tij.
 
Si burime kryesore të ndotjes së ajrit në Kosovë konsiderohen sektori i energjetikës, komunikacioni dhe industria e rëndë.

Aktualisht kontribuuesit më të mëdhenj të ndotjes së ajrit janë:
-KEK-u që përfshinë termocentralet (Kosova A dhe Kosova B) dhe mihjet sipërfaqësore të linjitit në Obiliq ;
-Komunikacioni (trafiku rrugor, ajror dhe hekurudhor)
 -Kompleksi industrial Ferronikeli në Gllogovc;
 -Fabrika e çimentos-Sharcem në Han të Elezit ;
 -Kompleksi industrial në Mitrovicë;
 -Sistemet për ngrohje qendrore (Prishtinë, Gjakovë dhe Mitrovicë) ;
 -Industria e rëndë bazike (aktualisht nuk funksionon) në Gjakovë, Pejë dhe Gjilan;
 -Deponitë e mbetjeve urbane dhe atyre industriale.

 


Emisionet në ajër