Per Ne | AMMK

Për ne

 

 

Misioni:

Agjencia e Kosovës për Mbrojtjen e Mjedisit (AKMM) është institucion qeveritarë i cili angazhohet që përmes monitorimit të integruar të mjedisit, sistemit efikas të informimit mjedisorë dhe raportimit të vazhdueshëm për gjendjen e mjedisit, të ruajë kualitetin e ajrin, ujit, tokës dhe biodiversitetit, të promovojë shfrytëzimin e burimeve të ripërtritshme të energjisë dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të resurseve natyrore me qëllim që të sigurojë një mjedis të shëndetshëm për gjeneratat e tashme dhe të ardhshme në harmoni me progresin e zhvillimeve ekonomike dhe sociale.

Vizioni:

Monitorim, informim dhe raportim efikas mjedisorë, për një mjedis të shëndetshëm dhe rritje ekonomike të qëndrueshme.

 

Në kuadër të plotësimit të infrastrukturës institucionale dhe ngritjes së efektivitetit dhe rezultateve në mbrojtjen e mjedisit MMPH është përforcuar edhe më një Institucion mjaft të rëndësishëm dhe premtues, Agjencia e Kosovës për Mbrojtjen e Mjedisit (AKMM) e cila pritet që të plotësoj zbrazëtirat ekzistuese në ciklin e përgjithshëm të menaxhimit mjedisor.

AKMM është themeluar me ligjin për mbrojtjen e mjedisit ( 2003/9, neni 39, pika 1 )

" ...si institucion në kuadër të MMPH, për kryerjen e punëve administrative, profesionale, mbështetëse shkencore dhe kërkimore në fushën e mbrojtjes së mjedisit, zonave të mbrojtura të natyrës, të diversitetit biologjik...".

Fillimisht organizimi i Agjencisë është bërë me Udhëzim Administrativ nr. Rendor 25, nr. Protokollit 22/03.

Me 06.06.2006 nga KELP është emëruar Kryeshefi Ekzekutiv.

Me vendimin e Ministrit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nr. Rendor 03/07, nr. Protokolli 38 të datës 05.06.2006, është funksionalizuar AKMM dhe është kompletuar stafi me personel adekuat.

Personeli është marrë nga MMPH, duke u bërë lëvizshmëri e brendshëm e stafit në përputhje me Rregulloren nr. 2001/19 Mbi Degën e Ekzekutivit të Institucioneve të Vetëqeverisjes së Kosovës.

Mirëpo, për shkak të problemeve dhe pengesave të caktuara administrative, financiare, kadrovike etj, AKMM ka mund të filloj funksionin e saj të plotë, vetëm në Qershor 2007.

 

LIGJI Nr. 03/L-025 PËR MBROJTJEN E MJEDISIT

 

KREU VII ORGANIZATAT PËR MONITORIMIN E MJEDISIT

 

Neni 59 Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit i Kosovës

1. Më qëllim të monitorimit të cilësisë dhe vetive të mjedisit, Ministria themelon Agjencionin për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (në tekstin e mëtutjeshëm: AMMK).

 

2. Struktura organizative dhe përgjegjësitë tjera të AMMK përcaktohen me akt nënligjor.

 

Neni 60 Detyrat e AMMK

 

1. Detyrat e AMMK janë:

 

1.1. të siguroj informacionin e duhur për administratën, Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës për zbatimin e politikave për mbrojtjen e mjedisit:

 

1.2. të zhvilloj dhe koordinoj sistemin unik të informimit për mbrojtjen e mjedisit lidhur me sistemin e përcjelljes së gjendjes së mjedisit në Kosovë si dhe të mbledhë të dhënat për mjedisin;

 

1.3. ti vendosë dhe ti mbajë qendrat referente me bazat e të dhënave për përcjelljen e mjedisit (të dhënat socio-ekonomike, presionet në mjedis, gjendjen dhe kualitetin e mjedisit);

 

1.4. të zhvillojë procedurat për përpunimin e të dhënave të grumbulluara për mjedisin dhe vlerësimin e tyre (modelimin, prezantimin dhe paraqitjen vizuele);

 

1.5. të kryej punët profesionale gjatë përcaktimit të përmbajtjes, metodologjisë dhe mënyrës së përcjelljes të gjendjes së mjedisit.

 

1.6. të avancojë dhe krahasojë cilësinë e të dhënave për mjedisin;

 

1.7. të hartojë raporte për gjendjen e përgjithshme të mjedisit në Kosovë, synimeve, si dhe të raportojë për sektorët kryesor (ajrin, tokën, ujin, llojllojshmërinë biologjike, ndryshimet klimatologjike);

 

1.8. të hartojë raporte për çështjet e caktuar për mbrojtjen e mjedisit siç janë rajonet me radioaktivitet të shtuar, cilësia e mjedisit, shëndeti dhe ngjashëm;

 

1.9. kryen punë këshillëdhënëse për përcaktimin, mbajtjen dhe përcjelljen e projekteve dhe programeve për mbrojtjen e mjedisit;

 

1.10. të ndihmojë organet e administratës në zhvillimin e formave të reja të politikës për mbrojtjen e mjedisit dhe përcjelljen e zbatimit të planeve dhe programeve për mbrojtjen e mjedisit;

 

1.11. të bashkëpunojë me Agjencinë Evropiane të Mjedisit - AEM e cila është në përbërje të Rrjetit Evropian për Informim dhe Vëzhgim – RREIV;

 

1.12. të bashkëpunojë me institucionet dhe organizmat tjerë ndërkombëtar për mbrojtjen e mjedisit;

 

1.13. të sigurojë qasjen në të gjitha informacionet për mjedisin e Kosovës sipas standardeve të AEM.

 

1.14. shfrytëzimi dhe këmbimi ndërshtetëror i të dhënave për mjedis do të rregullohet me ligj të veçantë.

 

2. AMMK kryen edhe punë të tjera të përcaktuara në aktin për themelim që shërbejnë për realizimin e veprimtarisë së AMMK të përcaktuara në paragrafin 1 të këtij neni.

 

RREGULLORE (QRK)-Nr. 05/2017 PËR ORGANIZIMIN E BRENDSHËM DHE SISTEMATIZIMIN E VENDEVE TË PUNËS TË MINISTRISË SË MJEDISIT DHE PLANIFIKIMIT HAPËSINOR

 

Neni 45 Struktura organizative e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës

 

1. Struktura organizative e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës është si vijon:

1.1.Zyra e Drejtorit të Përgjithshëm;

1.2.Drejtoratet/ Institutet

1.3.Sektoret.

2. Në kuadër të numrit të përgjithshëm të të punësuarve në AMMK, janë përfshirë edhe 36 të punësuar në kuadër të Drejtorisë së Administrimit të DAPK “Bjeshket e Nemuna”, të cilët i

marrin pagat nga komunat përkatësë por kontratat e punës i kanë me MMPH/AMMK.

3. Numri i të punësuarve në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës është njëqind e dymbedhjetë (112).

 

Neni 46 Zyra e Drejtorit të Përgjithshëm

 

1. Zyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës përbëhet nga:

1.1. Drejtori i Përgjithshëm;

1.2 Nje nëpunës (1) civil i nivelit tekniko administrative.

2.Detyrat dhe përgjegjësitë e Kryeshefit Ekzekutiv për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës përcaktohen me legjislacionin në fuqi.

3.Detyrat dhe përgjegjësitë e nënpunësit civil te Drejtorit të Përgjithshëm, përcaktohen me legjislacionin për shërbimin civil në fuqi.

4.Gjitha shërbimet administrativë duke përfshirë shërbimet juridike, buxhetit, financat, prokurimin, personelin, logjistiken, arkivin etj, obligohen Departamentet përkatëse të MMPH –së, ti ofrojnë shërbime të veçanta AMMK sipas kërkesës.

5. Numri i të punësuarve në Zyrën e Drejtorit të Përgjithshëm është dy (2).

 

Neni 47 Drejtoratet dhe Sektoret e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës

 

1.      Drejtoratet (ekuivalent Institutet) dhe Sektorët e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës janë:

 

2. Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës:

2.1. Sektori për Zonat e Mbrojtura;

2.2. Sektori për Biodiversitet.

 

3. Instituti Hidrometeorogjik i Kosovës:

3.1. Sektori për Meteorologji dhe Klime;

3.2. Sektori per Hidrologji ;

3.3. Sektori për Monitorimin e Ajrit; dhe

3.4.Sektori i Monitorimit të Cilesise se Ujërave dhe Dheut.

 

4.Drejtorati për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri”:

4.1. Sektori për Shërbime Profesionale dhe Administrative;

4.2. Sektori për Mbikeqyrje dhe Kontroll.

 

5. Drejtorati për Administrimin e Parku Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.

5.1. Sektori për Shërbime Profesionale dhe Administrative;

5.2. Sektori për Mbikeqyrje dhe Kontroll.

 

6. Drejtorati për Vlerësimin e Gjendjes së Mjedisit.

6.1. Sektori për Vlersimin e Gjendjes Mjedisore;

6.2. Sektori për Sistemin e Informimit Mjedisor; dhe

6.3. Sektori për Raportim, Informim dhe Bashkëpunim.

 

7. Drejtorati për Administrimin e Monumenteve Natyrore më Rëndësi të Veçantë.

7.1. Sektori për Monumentin e Natyrës më Rëndësi të Veçantë “Shpella e Gadimes”.

7.2. Sektori për Monumentin e Natyrës më Rëndësi të Veçantë “Ujvarat e Mirushës”