06 November 2026
Më 4 nëntor 2026, në Istog, u prezantua studimi mbi vlerat natyrore të Malit të Moknës dhe Liqenit të Ujmanit (Gazivodës), i cili paraqet një hap të rëndësishëm drejt identifikimit, vlerësimit dhe mbrojtjes së kësaj trashëgimie të rëndësishme natyrore të Kosovës.
Qëllimi kryesor i studimit ishte evidentimi, hulumtimi dhe vlerësimi i pasurive natyrore të kësaj zone, me theks të veçantë në iodiversitetin, ekosistemet pyjore, florën dhe faunën, si dhe në veçoritë gjeologjike, gjeomorfologjike, hidrologjike, speleologjike dhe peizazhore.
Studimi përbën një bazë të rëndësishme profesionale dhe shkencore për:
• Identifikimin, evidentimin dhe dokumentimin e vlerave të trashëgimisë natyrore me karakter gjeologjik, gjeomorfologjik, hidrologjik, speleologjik dhe peizazhor;
• Vlerësimin e biodiversitetit, habitateve dhe ekosistemeve natyrore;
• Identifikimin e zonave me rëndësi të veçantë për mbrojtjen e natyrës;
• Vlerësimin e potencialit dhe mundësive për shpalljen e zonës së mbrojtur dhe përcaktimin e masave për menaxhimin e qëndrueshëm të saj;
• Promovimin e turizmit dhe nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm lokal.
Rezultatet e studimit kanë konfirmuar vlerat e larta natyrore dhe biodiversitetin e pasur të kësaj zone, duke dëshmuar rëndësinë e saj për ruajtjen e trashëgimisë natyrore dhe duke ofruar argumente profesionale e shkencore për përfshirjen e saj në rrjetin e zonave të mbrojtura të Kosovës.
Studimi për identifikimin, evidentimin, hulumtimin dhe vlerësimin e trashëgimisë natyrore të Malit të Moknës dhe Liqenit të Ujmanit është realizuar në kuadër të aktiviteteve që synojnë shpalljen e kësaj zone si zonë e mbrojtura e natyrës.
Shpallja e Malit të Moknës dhe Liqenit të Ujmanit si zona të mbrojtura do të përbënte një kontribut të rëndësishëm në ruajtjen e vlerave të jashtëzakonshme natyrore të Kosovës, zgjerimin e rrjetit të zonave të mbrojtura dhe përmbushjen e objektivave për mbrojtjen e biodiversitetit dhe ekosistemeve natyrore.
Njëkohësisht, përmes kësaj iniciative sipërfaqja e përgjithshme e zonave të mbrojtura do të rritej nga 11.5% në rreth 13.5% të territorit të vendit.