13 October 2026
Koordinimi dhe bashkëpunimi ndërinstitucional janë thelbësorë për forcimin e mekanizmave të mbrojtjes së mjedisit, parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme dhe zbatimin e legjislacionit në fuqi.
Në kuadër të këtij angazhimi, u organizua tryeza me temën “Koordinimi ndërinstitucional për mbrojtjen e mjedisit”, nga Prokuroria Themelore në Pejë, në bashkëpunim me organizatën ERA.
Tryeza kishte për qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional, identifikimin e sfidave në terren dhe përcaktimin e veprimeve konkrete për parandalimin dhe luftimin e dukurive që dëmtojnë dhe degradojnë mjedisin.
Ky aktivitet shërbeu si një mundësi për shkëmbimin e përvojave, diskutimin e sfidave dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e mjedisit. Vëmendje e veçantë iu kushtua rëndësisë së koordinimit në trajtimin e rasteve të shkeljeve mjedisore, parandalimit të dëmtimit të natyrës dhe rritjes së përgjegjësisë institucionale.
Pjesëmarrës në takim ishin edhe U.d. Drejtori Ekzekutiv i AMMK, Afrim Berisha dhe përfaqësues nga Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, të cilët vlerësuan rëndësinë e këtyre iniciativave, të cilat kontribuojnë në forcimin e bashkëpunimit institucional dhe në mbrojtjen e qëndrueshme të trashëgimisë sonë natyrore.
Mbrojtja e mjedisit është përgjegjësi e përbashkët dhe kërkon angazhim të vazhdueshëm nga të gjitha institucionet dhe shoqëria.
Në fjalën e tij U.d. Drejtori Ekzekutiv i AMMK, Afrim Berisha mes tjerash theksoi se “krimet mjedisore nuk mund të luftohen nga një institucion i vetëm, andaj shpreha nevojën për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për ndërtimin e një sistemi ku veprimet ilegale që e dëmtojnë mjedisin identifikohet me kohë, dokumentohet profesionalisht, trajtohet sipas ligjit dhe merren masat konkrete për rehabilitimin e demit”.
AMMK mbetet e përkushtuar që të forcojë monitorimin, bazën e të dhënave, ekspertizën profesionale dhe bashkëpunimin me të gjitha institucionet relevante në funksion të këtij sistemi.