19 September 2026
Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, në bashkëpunim me Shoqatën Bullgare të Shpellave (Bulgarian Caving Society) dhe Drejtorinë e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, kanë organizuar një ekspeditë hulumtuese speleologjike në Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.
Gjatë kësaj ekspedite janë eksploruar dhe hartografuar: Shpella e Drelajve, Shpella e Flamurit (ose Shpella e Stërqokës), në Hajlë, me thellësi 45 m, Shpellat Binjake (Bajshë), me thellësi 35 m, dhe Shpella në Rrasen e Zogut, me thellësi 200 m.
E vendosur në një lartësi mbidetare prej rreth 1900 metrash, Shpella në Rrasen e Zogut paraqet shpellën më të thellë të eksploruar deri më tani në Kosovë. Deri me tani janë eksploruar dhe hartografuar 200 m të shpellës por supozohet se shpella arrin thellësinë deri në 500 m.
Hulumtimet speleologjike në këtë shpellë do të vazhdojnë edhe në vitin e ardhshëm me synim dokumentimin e mëtejshëm dhe zgjerimin e njohurive mbi strukturën, thellësinë dhe karakteristikat e saj nëntokësore.