93 - Lajmi Single | AMMK

U Promovua Raporti “Gjendja e Mjedisit në Kosovë 2008-2010”

23 December 2011

foto

23.12.2011-Sot në ambientet e ndërtesës së re të Qeverisë së Kosovës u promovua Raporti “Gjendja e Mjedisit në Kosovë 2008-2010”.  Në hapje të promovimit kryeshefi ekzekutiv i AMMK-së, dr.sc Ilir Morina theksoi se: Raporti “Gjendja e Mjedisit në Kosovë-2008-2010” ofron të dhëna për shtytësit dhe presionet në mjedis, përshkruan gjendjen aktuale të mediumeve mjedisore dhe ndikimin e kësaj gjendjeje. Ai me këtë rast falënderoi të gjitha institucionet që kanë ndihmuar në hartimin e këtij Raporti përmes ofrimit të të dhënave mjedisore.

Zëvendës kryeministri i Kosovës Bujar Bukoshi në fjalën e tij përshëndetëse u ndal me theks të veçantë në rëndësinë që ka ky raport për mjedisin e Kosovës  dhe përmirësimin e gjendjes së tij dhe vlerësoi punën që është bërë në hartimin e tij. Ai po ashtu shprehu gatishmërinë e qeverisë për tu përballur më të gjitha sfidat dhe në këtë kontekst edhe ato mjedisore.

Të pranishmëve më një fjalë rasti iu drejtua edhe zëvendës ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, z. Ilir Mirena, i cili ndër të tjera tha se qëllimi primar i këtij Raporti është Raportimi për gjendjen gjendjen reale të mjedisit në Kosovë dhe informimi i publikut të gjerë me problemet mjedisore, mirëpo njëkohësisht përmes këtij Raporti prezantohet edhe angazhimi i institucioneve qeveritare për zbatimin e politikave adekuate mjedisore  për përmirësimin e gjendjes së mjedisit. Ai më tutje shprehu edhe përkushtimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë që edhe në vitin 2012, krahas plotësimit të legjislacionit mjedisor dhe transpozimit të plotë të tij me politika e Bashkimit Evropian, të angazhohet  edhe në parandalimin e shfrytëzimit të pakontrolluar të resurseve natyrore, zgjerimin e rrjetit të zonave të mbrojtura, menaxhimin më efikas të resurseve ujore, planifikimin e qëndrueshëm urban, menaxhimin e avancuar të mbeturinave dhe forcimin e inspektimit mjedisore.

Para të pranishmëve në këtë promovim që kryesisht ishin përfaqësues të institucioneve qeveritare, OJQ-ve si dhe të organizatave ndërkombëtare u fol edhe për  procesin e hartimit të raportit, rolin dhe rendësin e tij si dhe u prezantua në fakte dhe shifra të përmbledhura për gjendjen e mjedisit në Kosovë.  

Raporti “Gjendja e mjedisit në Kosovë-2008-2010” është përgatitur në gjuhën shqipe, serbe dhe angleze dhe shpërndahet falas. Kopjet e Raportit mund të sigurohen në Agjencinë e Kosovës për Mbrojtjen e Mjedisit dhe po ashtu mund të shkarkohet edhe në ueb faqen e AMMK-se.