19 June 2026
Raporti Degradimi i Shtretërve të Lumenjve 2018-2024, është një vlerësim i realizuar nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, që ka si qëllim kryesor vlerësimin e gjendjes mjedisore të lumenjve përmes identifikimit dhe analizës së ndryshimeve të ndodhura në shtretërit e tyre gjatë periudhës 2018–2024, duke u fokusuar në evidentimin e dinamikës së degradimit dhe intensitetit të ndërhyrjeve në kohë. Përmes këtij raporti synohet të krijohet një pasqyrë e qartë dhe e bazuar në evidencë mbi ndryshimin e gjendjes së lumenjve, duke krahasuar gjendjen fillestare me zhvillimet e mëvonshme dhe duke identifikuar zonat ku degradimi ka arritur nivele kritike.
Ky vlerësim ka për qëllim gjithashtu të evidentojë shtrirjen hapësinore të sipërfaqeve të degraduara dhe të identifikojë segmentet lumore më të prekura nga aktivitetet e shfrytëzimit të inerteve, duke analizuar ndikimin e këtyre aktiviteteve në ndryshimin e konfigurimit natyror të shtretërve, destabilizimin e brigjeve dhe prishjen e regjimit natyror të rrjedhjes. Në të njëjtën kohë, raporti trajton ndikimet negative në komponentët biologjikë dhe peizazhorë të ekosistemeve lumore, përfshirë dëmtimin e habitateve, reduktimin e biodiversitetit dhe degradimin e vlerave natyrore dhe estetike të këtyre zonave.
Një dimension i rëndësishëm i raportit është edhe vlerësimi i masave të ndërmarra nga institucionet përgjegjëse gjatë periudhës 2018–2024, në funksion të zbatimit të legjislacionit përkatës, përfshirë ligjet, rregulloret dhe udhëzimet administrative që rregullojnë shfrytëzimin e resurseve ujore dhe mbrojtjen e mjedisit dhe shkallën e efektivitetit të këtyre masave në parandalimin e degradimit. Raporti synon të kontribuoj edhe në orientimin e politikave publike dhe vendimmarrjes institucionale drejt një modeli të integruar që garanton mbrojtjen afatgjatë të resurseve ujore dhe ruajtjen e tyre si pasuri natyrore për gjeneratat e ardhshme.
Të gjeturat kryesore të raportit tregojnë se sipërfaqja totale e degraduar e lumenjve është rritur nga 1762.71 ha në vitin 2018 në 2059.96 ha në vitin 2024, me një rritje prej 297.25 ha apo rreth 16.9%. Degradimi i lumenjve është shkaktuar kryesisht nga eksploatimi i pakontrolluar i rërës dhe zhavorrit nga operatorë legalë dhe ilegalë, si dhe nga mungesa e zbatimit efektiv të legjislacionit mjedisor. Lumi Drini i Bardhë paraqitet si lumi më i degraduar në Kosovë, me rritje të konsiderueshme të sipërfaqeve të degraduara dhe me ndikim të theksuar në strukturën morfologjike të shtratit lumor.
Për më shumë shihni raportin Degradimi i Shtretërve të Lumenjve 2018-2024