19 June 2026
Një delagacion i Drejtorisë për Administrimin e Parkut Kombëtarë Sharri i kryesuar nga ushtruesi i detyres së drejtorit Nail Kryeziu, është mirëpritur në një vizitë punë nga Institucioni Publik Parku Kombëtar Mali Sharr në Maqedoniën e Veriut. Ky takim nuk ishte vetëm një takim pune – ishte një dëshmi se kur bëhet fjalë për natyrën, kufijtë nuk na ndajnë, por na bashkojnë.
Gjatë diskutimeve u trajtuan sfidat e përbashkëta me të cilat përballemi çdo ditë në mbrojtjen e kësaj pasurie të rrallë natyrore, duke vendosur fokus të veçantë në koordinimin e aktiviteteve në terren, bashkëpunimin mes rojeve të parkut dhe organizimin e fushatave të përbashkëta për edukimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe vizitorëve. U ndanë përvoja, praktika dhe ide të reja për monitorimin e specieve dhe habitateve të rëndësishme, përdorimin e metodave moderne për gjurmimin e kafshëve të egra dhe vlerësimin e popullatave të tyre, veçanërisht për speciet që lëvizin lirshëm në të dy anët e kufirit.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi dhe në bazë të Memorandumit për Bashkëpunim ndërmjet dy institucioneve, Institucioni Publik Parku Kombëtar Mali Sharr i ka dhënë në huazim për shfrytëzim të përkohshëm Parkut Nacional Sharri të Republikës së Kosovës katër (4) kamera gjurmuese për monitorimin e kafshëve të egra, me qëllim të forcimit të kapaciteteve për monitorim, hulumtim dhe mbrojtje më efikase të biodiversitetit në të gjithë masivin e Malit Sharr. Kafshët e egra nuk njohin kufij dhe mbrojtja e tyre kërkon një qasje të koordinuar dhe të harmonizuar. Kjo është arsyeja pse të dy institucionet po punojnë vazhdimisht për harmonizimin e aktiviteteve në mënyrë që të sigurohet niveli më i lartë i mbrojtjes së vlerave natyrore të Malit Sharr.
Ky takim është edhe një hap më shumë drejt forcimit të miqësisë, besimit dhe partneritetit ndërmjet dy institucioneve, me synimin që Mali i Sharrit të mbetet simbol i natyrës së paprekur, biodiversitetit dhe bashkëpunimit ndërkufitar. Mali i Sharrit është një mal i vetëm – dhe mbrojtja e tij është një përgjegjësi e përbashkët
Vizita e delegacionit të Drejtorisë për Administrimin e Parkut Kombëtarë Sharri, në Maqedoniën e Veriut, është realizuar në kuadër të komponentës për fuqizimin e Parqeve Kombëtare të projektit “Ndërtimi i Kapaciteteve për Mbrojtjen e Natyrës dhe Përdorimin e të Dhënave Mjedisore”, që po zbatohet në kuadër të bashkëpunimit në mes të Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), me Agjencinë Suedeze për Mbrojtjen e Mjedisit (SEPA), me mbështetje nga SIDA Suedeze. Në kuadër të kësaj komponente janë paraparë edhe aktivitete për fuqizimin e bashkëpunimit ndërkufitarë në mes të Drejtorisë për Administrimin e Parkut Kombëtarë Sharri dhe Instirucionit Publik Parku Kombëtar Mali Sharr në Maqedoniën e Veriut.