22 May 2026
Institutit për Mbrojtjen e Natyrës, ka vazhduar aktivitetet hulumtuese për monitorimin e llojit invaziv Procambarus clarkii (Gaforrja e Kuqe e Luizianës), në ekosistemet ujore të Kosovës.
Pas aktiviteteve monitoruese të realizuara në ekosistemet e ujërave nëntokësore, përkatësisht në Shpellën e Flladit në Panorc të Malishevës dhe në Shpellën e Radavcit, hulumtimet kanë vazhduar në Liqenin e Perlepnices, në zona të karakterizuara me rrjedhje më të ngadalshme të ujit dhe me kushte të përshtatshme për praninë dhe përhapjen e këtij lloji invaziv.
Gjatë aktiviteteve në terren janë realizuar mostra për analizimin e parametrave biologjik dhe kimik të ujit, si dhe janë vendosur kurtha monitoruese për evidentimin dhe përcjelljen e pranisë së këtij lloji në habitatet ujore.
Ky aktivitet po realizohet në kuadër të një projekti ndërkombëtar të mbështetur nga Unioni Ndërkombëtar i Speleologjisë (UIS), me partnerë organizata kërkimore, speologjike dhe limnologjike nga disa vende evropiane, ndërsa Kosova përfaqësohet nga Instituti për Mbrojtjen e Natyrës.
Qëllimi i projektit është studimi i përhapjes së Gaforres së Kuqe të Luizianës dhe zhvillimi i strategjive për menaxhimin dhe mbrojtjen e habitateve të ndjeshme, përmes monitorimit të standardizuar shkencor dhe forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes së biodiversitetit dhe kontrollit të specieve invazive.