901 - Lajmi Single | AMMK

Një studim i dedikuar përhapjes së Kastorin euroaziatik në Kosovë!

17 April 2026

foto

Në kuadër të punës hulumtuese të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës në bashkëpunim me profesorin universitarë Halil Ibrahimi, dhe fotografët dhe aktivistët e botës së egër Arian Mavriqi dhe Lulzim Demaj, duke kombinuar ekspertizën shkencore me dokumentimin profesional në terren po zhvillohet një studim i dedikuar për Kastorin euroaziatik, me qëllim të vlerësimit të pranisë dhe shpërndarjes së tij në territorin e Kosovës. Duke qenë se kjo specie për një kohë të gjatë nuk është raportuar në vend, çdo evidencë e re paraqet një zhvillim me interes të veçantë shkencor.

Fotografitë e siguruara deri më tani konsiderohen si një tregues fillestar dhe dëshmi paraprake, të cilat kërkojnë verifikim të mëtejshëm përmes hulumtimeve të strukturuara në terren. Në këtë drejtim, aktivitetet hulumtuese fokusohen në identifikimin e shenjave karakteristike të Kastorit, si prerjet tipike në drunj, ndërtimi i digave dhe gjurmë të tjera të aktivitetit të tij. Përdorimi i kamerave kurth, në kombinim me vëzhgimet direkte, përbën një qasje të rëndësishme metodologjike për konfirmimin e pranisë së kësaj specieje.

Nga aspektin ekologjik, Kastori konsiderohet një specie me ndikim të ndjeshëm në habitatet ujore dhe bregore. Aktiviteti i tij ndërtues ndikon në ndryshimin e strukturës së habitatit, rregullimin e regjimit hidrologjik dhe krijimin e kushteve më të favorshme për shumë lloje të tjera organizmash, duke rritur kështu kompleksitetin dhe biodiversitetin e ekosistemeve.

Ky hulumtim synon të përcaktojë nëse prania e Kastorit në Kosovë përfaqëson një popullatë të qëndrueshme, apo lidhet me lëvizje të individëve nga vendet përreth, ku janë zbatuar programe të rivendosjes së kësaj specieje. Në këtë kontekst, studimi ka rëndësi të veçantë për orientimin e politikave të ruajtjes dhe menaxhimit të qëndrueshëm të habitateve ujore në vend.

Hulumtimi do të vazhdojë në të ardhmen, duke synuar konsolidimin gradual të të dhënave dhe ndërtimin e një baze të qëndrueshme për vlerësimin e statusit të kësaj specieje në Kosovë.