06 September 2011
06/09/2011- Sot në ambientet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë është mbajtur takimi i tretë me radhë i Komitetit Drejtues të projektit të binjakëzimit Mbështetje për sektorin e mjedisit në Kosovë financuar nga Komisioni Evropian.
Qëllimi i takimit ishte që përveç tjerash të diskutohet për progresin e gjertanishëm të implementimit, aktivitetet e mëtutjeshme dhe misionet e planifikuara për tre mujorin e katërt të projektit.
Në takim u tha se pas 9 muajve të fillimit të projektit janë arritur rezultate të kënaqshme. Deri me tani janë realizuar 33 misione, janë organizuar 19 punëtori të brendshme për zyrtarët e MMPH-së, AMMK-së dhe njësive tjera dhe një punëtori me karakter ndërkombëtarë. Po ashtu janë realizuar edhe dy vizita studimore njëra në Finlandë e tjetra në Letoni ku rreth 20 zyrtarë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë përkatësisht nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës kanë fituar përvojat e vendeve të Bashkimit Evropian në lëmin e mbrojtjes së mjedisit.
Në kuadër të rezultateve të deritanishme të arritura në projektin e binjakëzimit u veçua edhe raportimi në Agjencionin Evropian të Mjedisit që AMMK e ka realizuar me ndihmën e ekspertëve të angazhuar në projekt. Gjatë kësaj periudhe kohore AMMK ka dorëzuar në Agjencionin Evropian të Mjedisit raporte elektronike për: emisionet në ajër, gazrat serë, zonat e mbrojtura të natyrës, raporte mujore për ozonin si dhe ka shkëmbyer informata tjera me interes.
Përfitues direkt i projektit Mbështetje për sektorin e mjedisit në Kosovë është Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit te Kosovës (AMMK) ndërsa projekti po implementohet nga ana e Agjencisë se Mjedisit, Austri, në bashkëpunim me eksperte nga Instituti Meteorologjikë Finlandez dhe Qendra për Mjedis, Gjeologji dhe Meteorologji e Letonisë.
Objektivat kryesore të projektit janë: konsolidimi i kapaciteteve administrative në AMMK dhe departamentet relevante të MMPH në çështje ligjore, institucionale dhe teknike të monitorimit të mjedisit me fokusim të veçante në monitorimin e ajrit dhe ujit si dhe përmbushja e kërkesave për raportimit në Agjencinë Evropiane te Mjedisit-EEA dhe në Rrjetin Evropian për Informim dhe Vëzhgim-EIONET.