11 April 2025
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Kontributin e Përcaktuar Kombëtar (NDC). Me këtë dokument përmbyllet një fushatë katërvjeçare e diplomacisë klimatike dhe i dërgohet një mesazh i qartë komunitetit ndërkombëtar që Kosova është e gatshme të arrijë objektivat e uljes së emetimeve, por që paraprakisht duhet t’i njihet statusi dhe t'i mundësohet qasja në konventat e Kombeve të Bashkuara dhe fondet multilaterale për klimën.
Ndryshimet klimatike po prekin vendin tonë përmes përmbytjeve, thatësirave dhe valëve ekstreme të të nxehtit dhe po rrezikojnë jetesën e qytetarëve. NDC-ja dëshmon se Kosova, ka potencial për të ulur emetimet deri në 49%, por kjo është e mundur vetëm nëse kemi qasje në mbështetje financiare ndërkombëtare në formë grantesh.
Kosova po investon në ndërtimin e sigurisë klimatike me më shumë se 100 projekte dhe iniciativa konkrete si diga për siguri të ujit të pijshëm dhe për ujitje, kapacitete të reja energjetike për furnizim të qëndrueshëm, mbështetje për fermerët, studime për kultura më rezistente ndaj thatësirës, sistem paralajmërimi me SMS për përmbytjet, dhe shumë projekte të tjera që tashmë kanë përfunduar ose janë në fazën fillestare të zbatimit.
Për më shumë shihni vendimin dhe dokumentin Kontributi i Përcaktuar Kombëtar