29 October 2024
Në kuadër të takimit vjetor të Grupit për Komunikim Mjedisor të Rrjetit Evropian për Monitorim dhe Vëzhgim (EIONET), që kësaj radhe kishte në qendër të vëmendjes “Sfidat e zakonshme të treguara përmes historive lokale”, u prezantuar edhe përvojat e bashkëpunimit ndër-institucional në Kosovë për menaxhimin e zjarreve pyjore.
Shembulli i Kosovës për ngritjen e platformës së “Sistemit Kombëtarë të Informimit për Zjarret Pyjore-NFFIS”, i prezantuar në këtë takim, u cilësua si një shembull i mirë i bashkë-krijimit me pjesëmarrje të gjerë të institucioneve, dhe u vlerësua lart nga pjesëmarrësit dhe organizatorët.
Për këtë sistem të mbështetur nga Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtarë (JICA), kanë bashkëpunuar në mënyrë të ngushtë disa institucione kombëtare si: Agjencia e Emergjencave (lider i projektit), Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, Agjencia e Pyjeve të Kosovës, Agjencioni Kadastral i Kosovës dhe Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Takimi është mbajtur në Malaga të Spanjës, në kuadër të programit të punës së Agjencisë së Mjedisit të Evropës. Kosova përfaqësohet në rrjetin evropian EIONET dhe në programin e Agjencisë së Mjedisit të Evropës, përmes Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës si koordinator por edhe përmes institucioneve tjera relevante me përfaqësues që kontribuojnë në grupe të ndryshme punuese që kanë në fokus tematika të ndryshme mjedisore.