803 - Lajmi Single | AMMK

Zyrtaret e AMMK përfitojnë përvoja për hulumtime të avancuara kërkimore në Universitetin e Milanos

29 October 2024

foto

Dy zyrtare nga AMMK, të angazhuara si eksperte të monitorimit të ujërave, në kuadër të Programit për Menaxhimin e Integruar të Burimeve Ujore në Kosovë, Andonita Buçinca dhe Donika Peja Zagragja, kanë përfituar përvoja të avancuara dhe trajnime në Departamentin e Shkencave dhe Politikave Mjedisore, të Universitetit të Milanos.

Në kuadër të këtij kursi trajnimi nën mbikqyrjen e Profesor Beretta Lab, ato janë përfshirë në mënyrë aktive në projekte kërkimore moderne, duke fituar ekspertizë nga puna në laborator dhe duke përdorur teknika të ndryshme analitike në sektrorin e ujërave që ndërlidhen me projekte rreth ndotjes mikroplastike dhe efekteve të saj në shëndet.

Përvoja e tyre në këto fusha hulumtimi do ti mundësojë AMMK që në të ardhmen të zbatojë projekte kërkimore shkencore në fushën e ujërave të fokusura në ndotje nga mikro-grimcat.

Ky kurs trajnimi është mundësua nga projektin “Nanogrimcat në Kërkime Mjedisore dhe Mjekësore- NanoKos” të financuar nga EuropeAid, i cili promovon përsosmërinë akademike dhe kërkimin bashkëpunues dhe synon të rrisë kapacitetin kërkimor dhe inovativ të Kosovës.

Projekti #NanoKos, që ka qëllim kryesorë rritjen e bashkëpunimeve dhe lidhjeve ndërmjet institucioneve hulumtuese të Kosovës dhe institucioneve hulumtuese evropiane implementohet nga Universiteti i Prishtinës në bashkëpunim me Kolegjin Mbretëror të Londrës, Universitetin e Milanos dhe Universitetin e Parmas, ndërsa që partner dhe perfitues nga projekti është edhe Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës përkatësisht Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.