09 August 2024
Hartimi i Raportit për Gjendjen e Mjedisit në Kosovë, është i bazuar në Ligjin e Mbrojtjes së Mjedisit. Sipas nenit 25, të këtij ligji, Qeveria e Kosovës me propozim të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ia paraqet Kuvendit Raportin Vjetor për Gjendjen e Mjedisit.
Ky raport vjetor paraqet gjendjen e mjedisit për vitin 2022, por edhe të dhënat e më hershme kanë zënë vend të konsiderueshëm me qëllim krahasimi. Për hartimin e raportit, AMMK ka grumbulluar të dhëna mjedisore nga institucionet monitoruese, operatorët, ndërmarrjet e ndryshme, publikimet, raportet dhe nga burime tjera. Të dhënat e grumbulluara janë përpunuar në informata kualitative mjedisore, që tani janë prezantuar në këtë raport.
Raporti përmbanë të dhëna për gjendjen e mjedisit dhe ndryshimet në mjedis në krahasim me raportin e mëparshëm, shfrytëzimin e resurseve natyrore, ndikimet mjedisore në shëndetin e popullatës, gjendjen e mjediseve të rrezikuara, zbatimin e strategjisë së mjedisit dhe planin e veprimit, masat e ndërmarra për mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin e institucioneve mjedisore, si dhe financimin e sistemit për mbrojtjen e mjedisit.
Përmbajtja dhe cilësia e këtij raporti deri në një masë, është edhe reflektim i cilësisë së monitorimit që zbatohet në shkallë vendi, si dhe niveli i organizimit të sistemit të informimit mjedisor.
Qëllimi kryesor i këtij raporti, është informimi i institucioneve vendimmarrëse për gjendjen e mjedisit në Kosovë, me qëllim që të dhënat e prezantuara të shërbejnë për hartimin e politikave adekuate mjedisore, si dhe për orientimin e zhvillimeve, planifikimeve dhe investimeve strategjike në sektorët të cilët kanë ndikim në mjedis, siç janë: ekonomia, industria, energjetika, transporti, bujqësia etj.
Për më shumë: Raporti vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2022