12 March 2024
Kosova është pranuar anëtare me drejta të plota në Rrjetit Evropian të Agjencive për Ruajtjen e Natyrës i njohur si ENCA. Ky është një rrjet informal, i cili nxit shkëmbimin e informacionit dhe bashkëpunimin ndërmjet partnerëve të tij. Anëtarësimi është konfirmuar në takimin plenar të anëtarëve të rregulltë të ENCA-s, pas shqyrtimit të kërkesës së Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit përkatësisht Institutit për Mbrojtjen e Natyrës, për të qenë pjesë ë këtij rrjeti evropian me rëndësi për mbrojtjen e natyrës.
Rrjeti ENCA identifikon sfidat e ardhshme dhe ofron informacion dhe këshilla për vendimmarrësit në fushat e ruajtjes së natyrës dhe mbrojtjes së peizazhit. ENCA bashkon ekspertizën në mbledhjen dhe analizën e provave shkencore, njohuritë e zbatimit praktik dhe përvojën në administrim dhe këshilla për politikat në lidhje me biodiversitetin, mbrojtjen e peizazhit dhe shërbimet e ekosistemit.
Rrjeti përbëhet nga agjenci evropiane për mbrojtjen e natyrës, ose organe të ngjashme që kanë mbrojtjen e natyrës brenda portofolit të tyre më të gjerë. Kjo përfshin ruajtjen e biodiversitetit, peizazhit dhe gjeodiversitetit. Anëtarët kanë detyra të rëndësishme ekzekutive ose këshilluese për të përmbushur për qeveritë e tyre dhe vijnë kryesisht nga institucionet qendrore të vendeve të Evropës.
Anëtarësimi i Kosovës në këtë rrjet përkatësisht i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, do të ndihmojë në shkëmbimin e përvojave nga vendet e Evropës lidhur me hartimin dhe zbatimin e politikave për mbrojtjen e natyrës.
Per më shumë vizitoni ueb faqen e ENCA