06 February 2024
Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, përmes Institutit për Mbrojtjen e Natyrës në bashkëpunim me Organizatën për mbrojtjen e mjedisit, Ecopana, përfaqësuese e WWF Adria në Kosovë, kanë vendosur tabela informuese për rëndësinë e Ujëvarave të Mirushës si Monument Natyror me rëndësi të veçantë.
Qëllimi i vendosjes së këtyre tabelave është ndërgjegjësimi i vizitorëve për rëndësinë ekologjike, shkencore, estetike, kulturore-historike dhe turistike të Ujëvarave të Mirushës.
Territori i zonës së mbrojtur Ujëvarat e Mirushës ka një biodiversitet të pasur, me rreth 330 lloje bimësh vaskulare, 44 lloje kërpudhash të larta, lloje të shumta kafshësh dhe dhjetëra lloje të rralla insektesh ujore. Tabelat informative do të kontribuojnë në informimin e vizitorëve për këto vlera natyrore dhe në ndërgjegjësiminpër mbrojtj e tyre dhe në zhvillimin e qëndrueshëm të kësaj zone.
Sami Behrami, udhëheqës i sektorit për zona të mbrojtura në kuadër të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës më këtë rast ka deklaruar se: “Këto shenja janë të një rëndësie të veçantë pasi ata që vizitojnë Mirushën do të informohen më mirë për vlerat e ujëvarave dhe potencialin natyror që posedon kjo zonë. Për shkak të këtyre vlerave, në vitin 2012 me vendim të qeverisë kjo zonë është mbrojtur si monument natyre me rëndësi të veçantë me një sipërfaqe prej rreth 600 hektarësh”.
Ndërsa Krenare Salihu nga WWF Adria ka thënë se: “Ne jemi të përkushtuar të punojmë për të ruajtur trashëgiminë unike natyrore të Ujëvarave të Mirushës. Me vendosjen e këtyre tabelave shpresojmë të promovojmë turizmin e përgjegjshëm dhe të kontribuojmë në shfrytëzimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore”. Tutje ajo shpjegoi se aktiviteti për vendosjen e tabelave informuese është realizuar në kuadër të projektit për Mbrojtjen e rrjedhës së lumit Mirusha, i cili mbështetet nga dy organizata: Konservatori i Natyrës (TNC) dhe Programi i Lumenjve të Hapur (ORP), zbatuar nga Ecopana/WWF Adria në bashkëpunim me Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, Komunen e Malishevës, Universitetin e Prishtinës dhe institucione tjera relevante.