754 - Lajmi Single | AMMK

Raporti për gjendjen e mjedisit, prezantohet para Komisionit për Mjedis

20 December 2023

foto

Në ekpozeun e tij para anëtarëve të komisionit, Ministri i MMPHI, z.Liburn Aliu ka thënë mes tjerash se “bazuar në dispozitat e Ligjit  për Mbrojtjen e Mjedisit (neni 25) Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinorë dhe Infrastrukturës, përmes Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës ka përgatitur Raportin për gjendjen e mjedisit për vitin 2022, i cili pas shqyrtimit në Qeverinë e Kosovës dërgohet për shqyrtim të mëtejmë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”.

Raporti për gjendjen e mjedisit 2022, përfshinë të dhëna mbi: gjendjen e mjedisit dhe ndryshimet në mjedis në krahasim me raportin e mëparshëm, presionet në mjedis, ndikimet mjedisore në shëndetin e popullatës, gjendjen e mjediseve të rrezikuara, zbatimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit, masat e ndërmarra për mbrojtjen e mjedisit, funksionimin e institucioneve mjedisore si dhe financimin e sistemit për mbrojtjen e mjedisit.

Për hartimin e raportit, AMMK ka grumbulluar të dhëna mjedisore nga institucionet monitoruese, operatorët, ndërmarrjet e ndryshme, publikimet, raportet dhe nga burime tjera. Të dhënat e grumbulluara janë përpunuar në informata dhe tregues mjedisore, që tani janë prezantuar në këtë raport.

Qëllimi kryesor i këtij raporti, është informimi i institucioneve vendimmarrëse për gjendjen e mjedisit në Kosovë, me qëllim që të dhënat e prezantuara të shërbejnë për hartimin e politikave adekuate mjedisore, si dhe për orientimin e zhvillimeve, planifikimeve dhe investimeve strategjike në sektorët të cilët kanë ndikim në mjedis, siç janë: ekonomia, industria, energjetika, transporti, bujqësia etj. 

Ministri i MMPHI, ka prezantuar mes tjerash edhe gjetjet kryesore sipas sektorëve përkatës duke përfshirë, ajrin, ujin, tokën, biodiversitetin shëndetin publik si dhe masat e ndërmarra për përmirësimin e gjendjes së mjedisit, si dhe ka evidentuar disa nga arritjet dhe përmirësimet kryesore në mjedis që kanë ndodhur gjatë vitit 2022.

Sipas procedurës, pas diskutimit në Komisionin për Mjedis, Ushqim, Bujqësi Planifikim dhe Zhvillim, raporti do të procedohet për shqyrtim, diskutim dhe aprovim në Kuvendin e Kosovës.