713 - Lajmi Single | AMMK

Shkëmbehen përvojat mes institucioneve të Kosovës dhe atyre të Suedisë

02 June 2022

foto

Që nga data 30.05.2022 e deri me 02.06.2022, një delegacion nga Agjencia Suedeze për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Bordi Administrativ për Menaxhimin e Ujërave për regjionin e Dalarna, ka qëndruar për vizitë pune në Kosovë. Gjatë kësaj vizite përveç takimeve dhe vizitave në terren janë organizuar edhe disa punëtori të përbashkëta me institucionet mjedisore të Kosovës.

Me datën 30.06.2022 është realizuar punëtoria për komunikimi mjedisor, punëtori kjo e orientuar në disa aspekte si: procesi i planifikimit të komunikimit dhe temat e rëndësishme për komunikim tek ndotja e ajrit dhe parqet kombëtare. Gjatë kësaj punëtorie është prezantuar edhe hulumtimi (rasti studimor) mbi të dhënat mjedisore me temën: “Si e kuptojnë njerëzit ndotjen e ajrit”.

Përveç ekspertëve nga Agjencia Suedeze për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, pjesëmarrës në këtë punëtori ishin bashkëpunëtorë edhe nga Agjencioni Kadastral i Kosovës, Inspektorati Mjedisor, Departamenti për Integrime Evropiane, Divizioni për Komunikim me Publikun, dhe Njësia për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore të MMPHI.

Me dt. 31.06.2022 aktivitetet kanë vazhduar me realizimin e aktiviteteve në tre punëtori tjera sipas komponentëve të projektit “Ndërtimi i kapaciteteve mbi përdorimin e të dhënave mjedisore në Kosovë”.

Punëtoria për komponentën e Sistemit Informativ i Mjedisit ka qenë e fokusuar në kuptimin e  të dhënave për të dhënat (metadata), katalogun, llojet e ndryshme si dhe rëndësia e të dhënave për të dhënat. Përveç ekspertëve nga Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës dhe Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Suedisë, pjesëmarrës në këtë punëtori kanë qenë edhe përfaqësues nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, Agjencioni Kadastral i Kosovës dhe përfaqësues tjerë nga institucione qendrore dhe akademik.

Punëtoria për komponentën e ujërave me temën "Ngritja e kapaciteteve për shfrytëzimin e qëndrueshëm të ujërave", realizuar sipas fokusit për kuadrin institucional dhe sistemet e menaxhimit të ujërave, monitorimin e cilësisë së ujit, vlerësimi i ndikimit dhe klasifikimi i statusit të ujërave, analiza e problemeve dhe identifikimin e fushave të fokusit për mbështetjen në zhvillimin e kapaciteteve për menaxhimin e qëndrueshëm të ujërave në Kosovë.

Punëtoria për komponentën e Vlerësimit të Masave për Reduktimin e Emetimeve në Ajër ka qenë e fokusuar në prezantimin e mjeteve, masave dhe politikave për sektorët kyç për reduktimin e shkarkimeve në ajër, politikat ekzistuese që janë përfshirë në analizën e realizuar nga ekspertët suedezë si dhe politikave aktuale dhe të planifikuara nacionale për sektorët e transportit dhe energjisë.

“Ndërtimi i kapaciteteve mbi përdorimin e të dhënave mjedisore në Kosovë” është projekt i financuar nga Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar dhe zbatuar nga Agjencia Suedeze për Mbrojtjen e Mjedisit. Objektivi i projektit është të kontribuojë me mbështetjen e ngritjes së kapaciteteve për Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës dhe Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Kosovë. Prioritetet tematike në kuadër të projektit janë ndotja e ujit, klimës dhe ajrit. Projekti do ta përgatisë Kosovën për vënien në dispozicion të të dhënave nga fushat tematike përmes Sistemit Informativ Mjedisor sipas udhëzimeve nga Komisioni Evropian. Ai gjithashtu do të përfshijë mbështetjen për zbatimin e masave, politikave, planeve dhe rutinave me ndihmën e mjeteve analitike, gjithçka që bëhet me një integrim të komunikimit gjatë gjithë projektit. Integrimi gjinor gjithashtu do të jetë pjesë integrale e projektit.