71 - Lajmi Single | AMMK

Një delegacion i AMMK-së ka qëndruar për vizitë zyrtare në Tiranë

18 October 2010

foto

Një delegacion i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, i kryesuar nga Kryeshefi dr. Ilir Morina, ka qëndruar për vizitë zyrtare në Tiranë, ku ka vizituar Agjencinë e Mjedisit dhe të Pyjeve të Shqipërisë. Qëllimi i vizitës ishte shkëmbimi i përvojave në procesin e raportimit në Agjencinë Evropiane të Mjedisit-EEA dhe në Rrjetin Evropian Mjedisor të Informimit dhe Vëzhgimit-EIONET. Delegacioni nga Kosova fillimisht është pritur nga Drejtoresha e Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit dhe të Pyjeve te Shqipërisë znj. Etleva Canaj, e cila pasi i ka dëshiruar mirëseardhje delegacionit nga Kosova ka shprehur gatishmërinë e institucionit që ajo drejton në përkrahjen e Agjencisë së Kosovës për Mbrojtjen e Mjedisit, në procesin e Raportimit të të dhënave për mjedisin në EEA dhe EIONET. 

 

Ndërsa, kryeshefi i AMMK-së, dr. Ilir Morina, pasi ka shprehur falënderimet e tij për mirëpritjen ka thënë se bashkëpunimi në mes të dy institucioneve është shumë i rëndësishëm dhe i domosdoshëm.

 

Gjatë qëndrimit në ambientet e Agjencisë së Mjedisit dhe të Pyjeve të Shqipërisë, stafi i AMMK-së, ka pasur rastin që nga afër të njoftohet me punën e këtij institucioni në procesin e raportimit në Agjencinë Evropiane të Mjedisit-EEA dhe në Rrjetin Evropian Mjedisor të Informimit dhe Vëzhgimit-EIONET, duke filluar nga llojet e informacioneve që kërkohen, formatin e të dhënave, afatet e raportimit dhe aspekte të tjera teknike dhe profesionale.    

 

Në përmbyllje të vizitës të dy delegacionet u dakorduan që të vazhdojnë bashkëpunimit edhe në fusha tjera të rëndësishme mjedisore përmes shkëmbimit të përvojave dhe eksperiencave.  

 

Gjatë këtij viti,  Kosova për herë të parë ka marrë pjesë në takimet e Agjencionit Evropian të Mjedisit si partnerë i barabartë me të gjitha vendet tjera të Ballkanit Perëndimorë. Me këto takime edhe zyrtarisht Kosova është pranuar si partnerë në procesin e shkëmbimit të të dhënave mjedisore në EEA dhe në EIONET. Raportimi dhe shkëmbimi i të dhënave me këto institucione është një faktor shumë i rëndësishëm për Kosovën në procesin e Integrimeve Evropiane.