708 - Lajmi Single | AMMK

Studentët e Ekologjisë vizitojnë Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës

19 May 2022

foto

Drejtori i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, Fadil Bajraktari dhe stafi i IKMN, kanë pritur për vizitë studentët e Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina", nga Fakulteti i Shkencave Natyrore, Drejtimi Ekologji dhe Mbrojtje e Mjedisit të udhëhequr nga asistenti Bledar Pulaj.

Gjatë kësaj vizite studentët kishin mundësi të shohin nga afër punën e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës dhe të njoftohen për angazhimet, aktivitetet dhe projektet aktuale të Institutit në fushën e zonave të mbrojtura dhe biodiversitetit. Gjatë diskutimit dhe bashkëbisedimit ata patën rastin të parashtrojnë pyetje dhe të marrin informata më të detajuara lidhur me procesin e shpalljes së zonave të mbrojtura, bashkëpunimin me komunat, monitorimin e zonave të mbrojtura dhe përmbushjen e obligimeve për mbrojtjen e natyrës dhe biodivesritetit në procesin e integrimeve evropiane.

Studentët u informuan edhe për mundësinë për tu angazhuar me punë praktike në Agjencinë e Mbrojtjes së Mjedisit të Kosovës përkatësisht në kuadër të hulumtimeve që Instituti i Natyrës realizon në fushën e mbrojtjes së natyrës dhe biodivesritetit.

IKMN tash e disa vite ka ndërtuar një partneritet të mirë të bashkëpunimit me Fakultetin e Shkencave Natyrore, Drejtimi Ekologji dhe Mbrojtje e Mjedisit, ku përveç vizitave informuese, studentët e këtij fakulteti kanë mundësinë edhe për kryerjen e punës praktike dhe përgatitjen e temave të diplomës.

Ky bashkëpunim po ashtu përfshinë edhe angazhimin e përbashkët të IKMN dhe FSHMN në projekte të rëndësishme hulumtuese në fushën e mbrojtjes së natyrës dhe biodivesritetit. Projekte të tilla të realizuara nga ky bashkëpunim janë edhe hartimi i Librit të Kuq të Florës Vaskularë, hartimi i Librit të Kuq të Faunës, hartimi i studimeve dhe elaborateve për vlerat e natyrës për disa zona të mbrojtura dhe procesi i zonimit për disa nga këto zona.