70 - Lajmi Single | AMMK

U nënshkrua memorandumi i mirëkuptimit dhe bashkëpunimit në mes të AMMK-së dhe BELLS Kosova

01 October 2010

foto

01 Tetor 2010- Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës dhe Lëvizja Mjedisore Rajonale BELLS Kosova, kanë nënshkruar sot një Memorandum të Mirëkuptimit dhe Bashkëpunimit. Përmes nënshkrimit të këtij memorandumi këto dy institucione dakordohen që të rrisin përpjekjet dhe angazhimet e përbashkëta në funksion të implementimit të politikave publike, gjithmonë duke u bazuar në vlerësime paraprake mjedisore. Të dy palët nënshkruese të këtij dokumenti pajtohen që të bashkëpunojnë dhe koordinojnë veprimet e përbashkëta në çështje të lidhura me mbrojtjen e mjedisit, përmes procesit të ashtuquajtur “Diplomacia e gjelbër” nëpërmes të cilit do të ndikohej në rritjen e numrit te qytetarëve të angazhuar në çështje të mjedisit në përgjithësi, dhe zhvillimit të përgjithshëm në nivel lokal dhe nacional në veçanti.

Subjekti i kësaj marrëveshje të bashkëpunimit është i lidhur ngushtë edhe me pjesëmarrjen në aktivitete të përbashkëta në zbatimin e një fushate të gjerë ndërgjegjësuese dhe informuese për qytetarët e Kosovës në lidhje me mbrojtjen dhe përmirësimin e gjendjes në mjedis duke i motivuar ata që angazhimi në dhe rreth çështjeve mjedisore të jetë i vazhdueshëm dhe i bazuar në çështje konkrete.

Memorandumi në mes tjerash parasheh edhe angazhimin që çështja e mjedisit, të jetë pjesë e pandashme dhe e vazhdueshme në gjithë procesin e politikbërjes në nivelet nacionale dhe lokale, mbështetjen e iniciativave të gjelbra në interes të përgjithshëm të qytetarëve të Kosovës, përkrahjen e aktiviteteve të OJQ-ve të përqendruara në çështje të mjedisit, si dhe intensifikimin e bashkëpunimit ndër- komunal, rajonal dhe ndërkufitarë.