16 September 2010
16 shtator 2010
Me rastin e shënimit të Ditës ndërkombëtare të Ozonit, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor përkatësisht Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, ka promovuar Raportin Gjendja e Natyrës 2008-2009. Raporti është përgatitur në kuadër të detyrave dhe përgjegjësieve që ka ky institucion në procesin e Raportimit për gjendjen e mjedisit dhe për gjendjen e sektorëve kryesorë mjedisorë.
Zv.Ministri i MMPH-së, z.Idriz Vehapi, në fjalën e tij me këtë rast ka nënvizuar ndër të tjera se ky Raport në radhë të parë është është një dokument që tregon për gjendjen e përgjithshme të natyrës dhe të biodiversitetit në Kosovë. Por, për me tepër ky publikim është një pasqyrim i gjendjes së zonave të mbrojtura, i llojeve të rëndësishme bimore e shtazore, i problemeve, nevojave dhe sfidave që na presin në të ardhmen.
Zgjidhja e këtyre problemeve mbetet në mesin e priroteteve që MMPH-ja synon t'i realizojë në të ardhmen së bashku më institucionet tjera qeveritare dhe jo qeveritare dhe me institucionet kërkimore-shkencore, ka theksuar ndër të tjera zv.ministri Vehapi në fjalën e tij.
Ndërsa, zyrtarë të AMMK-së, theksuan se përkundër angazhimeve dhe aktiviteteve të deritanishme Kosova ende ka probleme te theksuara ne mbrojtjen e biodiveritetit, në mesin e të cilave duhet veçuar: mungesa e inventarit të plotë të llojeve bimore e shtazore, mungesa e listës së kuqe të llojeve të rralla, të rrezikuara e të atyre në zhdukje, mungesa e planeve menaxhuese e zhvillimore për zona të mbrojtura si dhe mungesa e organeve menaxhuese për disa zona të mbrojtura.
Kryetari i Komisioni Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, z.Naser Rugova, ka bërë të ditur punën që po bënë ky komision, përkatësisht Kuvendi i Kosovës, në plotësimin e korinzës ligjore për mbrojtjen e natyrës dhe biodiversitetit si dhe përafrimin e saj me Direktivat e Bashkimit Evropian.
Publikimi i Raportit për Gjendjen e Natyrës 2008-2009 është mbështetur edhe nga UNDP-ja. Përfaqësuesit e UNDP-së, kanë konfirmuar se edhe në të ardhmen do të vazhdojnë bashkëpunimin me MMPH-në dhe kanë paralajmëruar botimin e një buletini iformativ mjedisor të përbashkët.
Në promovim kanë marrë pjesë edhe përfaqësues tjerë të institucioneve qeveritare dhe jo qeveritare, që kanë përgjegjësi të caktuara në sektorin e natyrës.