65 - Lajmi Single | AMMK

Kosova, një hapë më afër trendeve mjedisore evropiane

15 September 2010

foto

Kosova mirëpritet në procesin e shkëmbimit të të dhënave mjedisore në Agjencionin Evropian të Mjedisit dhe në EIONET.

Me ftesë të Agjencionit Evropian të Mjedisit (European Environment Agency-EEA), Dr.sc. Ilir Morina, Kryeshef Ekzekutiv i AMMK-së në cilësinë e ekzekutivit të lartë dhe Rizah Hajdari-Drejtor i Drejtorisë për Raportim në AMMK, në cilin e NFP-së (National focal point) kanë marrë pjesë në takimin plenar të nivelit të lartë në mes të Bordit Menaxhues të EEA, kryeshefave ekzekutiv dhe NFP-ve të Agjencive Mjedisore të vendeve të Ballkanit Perëndimorë, të mbajtur në Kopenhagë të Danimarkës. Në takim ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Komisionit Evropian, Parlamentit Evropian, përfaqësues nga Gjermania, Austria, Sllovakia dhe vende tjera anëtare të Bashkimit Evropian.

Temë qendrore e diskutimeve ka qenë Strategjia e prioriteteve të punës së EEA për vitin 2010,e cila është prezantuar nga përfaqësuesit e Bordit të EEA, ndërsa Ekzekutivët e lartë të vendeve të Ballkanit Perëndimorë kanë prezantuar për zhvillimet e rëndësishme mjedisore në Ballkanin Perëndimorë. Në këtë pikë edhe përfaqësuesit e Kosovës, kanë prezantuar zhvillimet aktuale në sistemin e menaxhimit të mjedisit në Kosovë, duke përfshirë monitorimin, sistemin e informimit mjedisor dhe raportimit për mjedisin.

Një temë tjetër e diskutuar në takim ka qenë edhe mundësia e përfitimit nga fondi për Projektet e IPA (Instrument for Pre-Accession) si dhe janë prezantuar programet mjedisore ENP (European Neighbourhood Programme) dhe RENA (Regional Environmental Network for Accession).
Një pikë shumë e rëndësishme e diskutimit ishte edhe Raportimi për gjendjen e mjedisit në EEA dhe në EIONET (Rrjeti Evropian i Informimit dhe Vëzhgimit për Mjedisin).

Përveç pjesës plenare gjatë qëndrimit në Kopenhagë, Kryeshefi i AMMK-së, ka realizuar edhe disa takime të ndara me udhëheqësit e EEA si dhe me përfaqësuesit e Agjencive Mjedisore të vendeve të Ballkanit Perëndimorë, ku është biseduar për shkëmbimin e përvojave dhe mundësive të bashkëpunimit në procesin e Raportimit mjedisor në EEA dhe EIONET.

Takimi kishte rëndësi të veçantë edhe për faktin se Kosova për herë të parë ftohet të marrë pjesë në takimet e Agjencionit Evropian të Mjedisit si partnerë i barabartë me të gjitha vendet tjera të Ballkanit Perëndimorë.

Nga ky takim edhe praktikisht, Kosova është pranuar si partnerë në procesin e shkëmbimit të të dhënave mjedisore në Agjencionin Evropian të Mjedisit dhe në EIONET. Raportimi dhe shkëmbimi i të dhënave me këto institucione i cili pritet të fillojë që nga muaji qershor i këtij viti. është një faktor shumë i rëndësishëm për Kosovën në procesin e Integrimeve Evropiane.