60 - Lajmi Single | AMMK

U shqyrtua Draft -Raporti për Gjendjen e Ujërave, ende priten komente dhe sygjerime

26 August 2010

foto

Në lokalet e Hotelit “ Prishtina “ me 28 .01.2010 Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës prezantoi Draft- Raportin për Gjendjen e Ujërave në Republikën e Kosovës. Punëtorinë e hapi Dr. sci. Ilir Morina –Kryeshef Ekzekutiv i AMMK-së, i cili në fillim të fjalës së tij shprehi falënderime për të gjitha institucionet qeveritare dhe joqeveritare, operatorët ekonomik, donatorët, ekspertët dhe ndërmarrjet e ndryshme për bashkëpunimin e treguar gjatë hartimit të këtij Raporti. Ai ndër të tjera vlerësoj bashkëpunimin ndërmjet institucioneve përgjegjëse për administrimin dhe monitorimin e ujërave gjë që ka ndikuar në përmirësimin e procesit të informimit, mbledhjes, shkëmbimit dhe përpunimit të të dhënave të nevojshme për hartimin e këtij Raporti . Dr. Morina në fjalën e tij inkurajoi edhe ata që nuk kanë dërguar materiale të mjaftueshme, si dhe, ata të cilët ende nuk i kanë dërguar informacionet e aktiviteteve të tyre në lëmin e ujërave.

Në punëtorinë e organizuar ishin të pranishëm ekspertë të fushë së ujërave dhe mjedisit nga institucionet relevante të Republikës së Kosovës, të cilët merren me menaxhimin, monitorimin dhe çështje tjera të ujërave.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Z. Mahir Yagcilar në fjalën e tij përshëndetëse tha se çështjet si mungesa e ujit, ruajtja dhe menaxhimi i qëndrueshëm i resurseve ujore konsiderohen sot si një ndër problemet më të mëdha globale mjedisore. Natyrisht se edhe në Kosovë këto probleme janë mjaft evidente, andaj ne si Ministri, këto çështje i kemi vendosur në mesin e prioriteteve të punës dhe të angazhimit tonë.

Ndër të tjera veçoi projektin për ngritjen e infrastrukturës ujore dhe rregullimin e shtretërve të lumenjve, angazhimin për përmirësimin e furnizimit me ujë të pijes dhe menaxhimin e ujërave të zeza, si dhe plotësimin e infrastrukturës ligjore dhe harmonizimin e saj me direktivat e Bashkimit Evropian.

Me tej në fjalën e tij Ministri tha se ky raport do të ndihmojë në përmirësimin e gjendjes së ujërave, menaxhimin më të mirë të këtyre resurseve në të ardhmen , orientimin e politikave të MMPH -së si dhe orientimin e investimeve prioritare në këtë fushë.

Ndërsa zyrtarja për monitorimin e ujërave sipërfaqësore, nëntokësore dhe dheut, znj. Merita Mehmeti , prezantoi Draft –Raportin për Gjendjen e Ujërave në Kosovë, ku të pranishmit u njohën me rëndësinë e këtij Raporti, përmbajtjen, treguesit kryesorë si dhe aspekte tjera të përgjithshme të menaxhimit të ujërave.

Nga pjesëmarrësit e kësaj punëtorie pati pyetje, komente dhe diskutime rreth raportit.

AMMK deri me datën 15. 02. 2010, kur pritet finalizimi i Raportit, mirëpret sugjerimet, vërejtjet dhe komentet tuaja.