59 - Lajmi Single | AMMK

"Ku e ka vendin bërllogu ?!": Instalacion artistik, me përmbajtje mjedisore

26 August 2010

foto

Për tri ditë me radhë (23, 24 dhe 25 maj) në sheshin e Shatërvanit në Prizren, regjisori Resul Jusufi ka ekspozuar një instalacion me përmbajtje edukative-mjedisore.

Përmes ekspozimit në mënyrë artistike të mbeturinave të improvizuara në njërën anë, dhe hedhjes së tyre nëpër shporta dhe në mënyrë të organizuar në anën tjetër, ideatori dhe realizatori i këtij projekti ka synuar të ngacmojë ndërgjegjen e komunitetit për ruajtjen e mjedisit.

Instalacioni "Ku e ka vendin bërllogu ?!", ka zgjuar kureshtjen e shumë qytetarëve si për nga përmbajtja ashtu edhe për nga mënyra e realizimit.

Autori i tij shpreson që me këtë instalacion të shëtisë edhe në qendrat tjera të Kosovës. Në ceremoninë e hapjes së këtij projekti kanë marrë pjesë Kryeshefi i AKMM-së, Ilir Morina, pastaj përfaqësues nga Drejtorati për Shërbime Publike i Komunës së Prizrenit, Kompania publike Eco-Regjioni dhe struktura tjera.

Menaxhimi i mbeturinave, paraqet njërën prej shqetësimeve më të mëdha mjedisore për vendet urbane të Kosovës. Përkundër projekteve të realizuara deri me tani dhe angazhimit të institucioneve mjedisore qendrore e lokale, ky problem ende nuk ka arritur të zgjidhet.

Ndërgjegjësimi i komunitetit është njëra prej formave më të mira për të arritur sukses. Në vargun e këtyre përpjekjeve mund te futet edhe ky projekt edhe pse mënyra e tij e realizimit ishte diçka më e veçantë. Mund të vlerësojmë se ky projekt ka arritur qëllimin e tij, sepse ka përcjell mirë mesazhin që ka dashur ta paraqesë autori.

Projekti është mbështetur nga Agjencia e Kosovës për Mbrojtjen e Mjedisit, Kuvendi Komunal i Prizrenit, Kompania Eco-Region, Finca, IS-Company dhe Art Pen.