542 - Lajmi Single | AMMK

Monitorimi i komponimeve organike të avullueshme në ajër

15 February 2022

foto

15.02.2022. Në kuadër të projektit “Furnizimi i menaxhimit të projektit, menaxhimit të informacioneve për cilësinë e ajrit, ndryshimin e sjelljes dhe shërbimet e komunikimit”, të mbështetur nga MFK/MCC është realizuar edhe aktiviteti me emërtimin “Monitorimi i BTEX në Kosovë”.

 

BTEX përfaqëson një grup të komponimeve organike të avullueshme (KOA). Ato janë një grup i gjerë ndotësish karbonik të ajrit, ku ndër më të rëndësishmeve janë benzeni, tolueni, etil-benzeni dhe ksileni. Nga grupi i komponimeve aromatike të lehta, që zakonisht monitorohen në kuadër të cilësisë së ajrit, benzeni është më i rëndësishmi. Benzeni është komponentë e vajit mineral dhe formohet gjatë përpunimit të tij, e ka origjinën nga aktivitetet antropogjene dhe natyrore, ende përdoret në proceset industriale, emetohet nga djegia dhe shpërndahet nga të gjitha llojet e produkteve, duke përfshirë edhe ekonomitë familjare. Lloji i fundit i burimit bën që nivelet e benzenit të jenë më të larta në ambientet e brendshme. Një burim relevant i benzenit në ajrin e ambientit është trafiku, i bazuar në vajin mineral.

 

Ekspozimi ndaj benzenit konsiderohet si shkaktar i efekteve të dëmshme në shëndetin e njerëzve, prej të cilave hematoksiciteti, gjenotoksiciteti dhe kancerogjeniteti janë më të konsiderueshmet. Monitorimi i benzenit është i rregulluar për qëllime të menaxhimit të cilësisë së ajrit në nivele kombëtare dhe ndërkombëtare (Kosovë, Bashkim Evropian dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë).

 

Objektiv i vlerësimit të fushatës monitoruese ishte që të përshkruajë operacionin e monitorimit, të përpunojë rezultatet analitike të marra në kontekst të kërkesave të përcaktuara nga qëllimet e menaxhimit të cilësisë së ajrit. Për më tepër, të dhënat e monitorimit kanë siguruar një pasqyrë të situatës së ndotjes së ajrit në Kosovë me BTEX, e cila mund të përdoret për të iniciuar hetime të mëtejshme.

 

Vendndodhjet për mostrim janë përzgjedhur nga stafi i IHMK-së duke respektuar udhëzimet përkatëse, duke marrë për bazë lokacionet e rrjetit kombëtar të monitorimit të cilësisë së ajrit dhe lokacionet me trafik të dendur në zona urbane. Në disa qytete janë përfshirë edhe zonat industriale. Është përzgjedhur edhe një lokacion që është më pak i ekspozuar nga ndotësit përkatës që është Germia.

 

Pajisjet e mostrimit janë montuar së paku 2m mbi nivelin e tokës dhe kanë qëndruar për një kohë maksimale prej 10 javëve.Janë montuar gjithsej 680 pajisje të mostrimit, ku rreth 89.3% e pajisjeve të mostrimit kanë siguruar të dhëna të dobishme, ndërsa një numër i vogël i tyre kanë pasur probleme teknike.

 

Vlerat kufitare për benzenin, të listuara në Udhëzimin përkatës dhe në Direktivën e BE-së për Cilësinë e Ajrit, janë 5 µg/m3 si vlerë mesatare vjetore ndërsa si vlerë e synuar është është marrë vlera prej 1 µg/m3 të përcaktuara nga BE dhe OBSH.

 

Në të gjitha vendndodhjet e monitorimit, përqendrimet janë nën vlerat kufitare dhe me përjashtim të zonës së rrethinës janë mbi vlerën e synuar prej 1 µg/m3. Nivelet e benzenit janë midis pragut të sipërm dhe të ulët të vlerësimit.

 

Përqendrimet mesatare së benzenit tregojnë se nivelet në Kosovë janë nën kufijtë e përcaktuar në Udhëzuesit përkatës, por mbi vlerën e synuar të vendosur nga BE-ja dhe OBSH-ja.

 

Për më shumë shihni raportin “Monitorimi i BTEX në Kosovë”.