Miratohet Lista e Kuqe e florës vaskulare të Kosovës
30 November -0001
09.02.2015 - Në kuadër të aktiviteteve për mbrojtjen e natyrës me iniciativën e Institutit për Mbrojtjen e Natyrës i cili vepron në kuadër të Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, gjatë vitit të kaluar mes tjerash është hartuar Lista e Kuqe e florës vaskulare të Kosovës. Kjo listë është miratuar përmes një vendimi të nënshkruar nga Ministrit të MMPH-se z.Ferid Agani.
Hartimi i kësaj liste është bazuar në Librin e kuq të Florës Vaskulare të Republikës së Kosovës, e hartuar vitin e kaluar dhe Vlerësimin profesional të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës (IKMN).
Lista e kuqe e florës vaskulare të Republikës së Kosovës është e një rëndësie të veçantë sepse ajo e përqendron vëmendjen e të gjithë dashamirëve të natyrës në drejtim të rëndësisë që ka kërcënimi i biodiversitetit, ajo zbulon gjithashtu ato lloje të cilat kanë nevojë për masa mbrojtëse dhe vë bazat e informacionit për monitorim të mëtejshëm të tyre.
Kjo Listë ka gjithashtu rëndësi të madhe sepse siguron informacionet të cilat ndihmojnë në përpilimin e prioriteteve mbrojtëse në nivelin lokal dhe mundëson një bashkëpunim më të mirëfilltë me organizatat ndërkombëtare që merren me mbrojtjen e mjedisit, siç është Konventa mbi diversitetin biologjik dhe Konventa për tregti ndërkombëtare të specieve të rrezikuara të faunës dhe florës së egër.
Sipas këtij vendimi kjo listë regjistrohet në regjistrin e vlerave të mbrojtura të natyrës qe mirëmbahet nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës.
Vendimi përmban edhe kriteret e IUCN-se që janë përdorur për vlerësimin e statutit të kërcënueshmerisë së llojeve.
Për më shumë shikoni:
Vendimin per miratimin e listes se kuqe te flores vaskulare te Kosoves
Lista e kuqe e flores vaskulare te Kosoves