199 - Lajmi Single | AMMK

Ministri i MMPH-së dhe ambasadorja franceze vizituan Shpellën e Gadimes

27 November 2013

foto

27/11/2013- Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi dhe ambasadorja franceze në Kosovë Maryse Daviet,  të shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tyre vizituan  monumentin e natyrës me rëndësi të veçantë “Shpella e Gadimes”.  Qëllimi i vizitës ishte njohja nga afër me gjendjen ne shpellë dhe mundësitë e investimeve nga qeveria franceze në të ardhmen në këtë monument të mbrojtur të natyrës.
Kjo ishte vizita e parë e realizuar në Shpellën e Gadimes, që nga vendimi i ministrit të MMPH-së, për mbylljen e përkohshme të saj. Vendimi u mor për shkak të veprimtarive të palejuara që po rrezikojnë karakteristikat dhe vlerat e kësaj pasurie kombëtare. Mbyllja e përkohshme u vendos si masë e përgjithshme për mbrojtjen e monumentit.
 
Shpella e Mermertë në Gadime të Ulët është një ndër shpellat më të bukura jo vetëm në Kosovë por edhe në Ballkan dhe më gjerë.  Në Shpellën e Gadimes paraqiten të gjitha llojet e stolive karakteristike për shpellat. Më së shumti ka stalagmite dhe stalaktite që paraqiten në të gjitha pjesët e shpellës, në forma dhe madhësi të ndryshme.
Shpella e Gadimes është vënë nën mbrojtje menjëherë pas zbulimit me 29 korrik 1969. Ndërsa në vitin 1982 është marrë vendimi për vënien në mbrojtje të Shpellës si gjeomonument me vlera të posaçme të natyrës. Në vitin 2009, me vendim të Qeverisë së Kosovës (vendimi nr. 04/57), Shpella e Gadimes, vihet ne mbrojtje si Monument i Natyrës me rëndësi të veçantë.