198 - Lajmi Single | AMMK

Një delegacion i AMMK-së, po qëndron për vizitë zyrtare në Sllovaki

18 November 2013

foto

18/11/2013- Një delegacion i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës i udhëhequr nga kryeshefi i AMMK-së, Dr.sc. Ilir Morina, po qëndron për vizitë zyrtare në Sllovaki, me ftesë të Agjencisë Sllovake të Mjedisit. Në ditën e parë të vizitës kryeshefi i AMMK-së, është takuar me drejtorin gjeneral të Agjencisë Sllovake të Mjedisit z.Martin Vavrinek. Në takim është biseduar për mundësinë e bashkëpunimit në mes të dy institucioneve në sektorin e mbrojtjes së mjedisit e me theks të veçantë në fushën e përgjegjësive dhe detyrave që kanë këto dy institucione ekzekutive.

 

Gjatë ditës së parë të vizitës në Sllovaki, delegacioni i AMMK-së, përmes takimeve dhe prezantimeve nga zyrtarët e Agjencisë Sllovake të Mjedisit dhe institucioeneve tjera mjedisore sllovake ka pasur rastin të fitojë përvoja dhe të diskutojë për bashkëpunimin me Agjencinë Evropiane të Mjedisit, konservimin e biodiversitetit dhe menaxhimin e zonave te mbrojtura si dhe të vizitojë disa zona të mbrojtura në kuadër të rrjetit NATURA 2000. 

 

Gjatë ditës së nesërme të qëndrimit të delegacionit të AMMK-së, në Sllovaki janë paraparë takime edhe me institucione tjera mjedisore të Sllovakisë në kuadër të të cilave edhe me Qendrën e Shkencave Mjedisore, ku ndër të tjera do të diskutohet dhe do të shkëmbehen përvoja në kundër të sistemit informative mjedisor dhe implementimit të Direktivës Inspire, analizat hapësinorë dhe shfrytëzimin e tokës, raportimin për gjendjen e mjedisit dhe indikatorët mjedisore, menaxhimin e mbeturinave, monitorimin e dheut si  dhe pjesëmarrjen në kuadër të EPA Network.

 

Kjo vizitë e delegacionit të AMMK-së ne Sllovaki, përveç rëndësisë mjedisore ka edhe rëndësi diplomatike, meqenëse shteti Sllovak ende nuk e ka njohur Republikën e Kosovës dhe përmes thellimit të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave, ndërmjet institucioneve qendrore të dy vendeve do të tejkalohen edhe barrierat politike në njohjen e shtetit të Kosovës nga Republika Sllovake.