197 - Lajmi Single | AMMK

U shënua Dita Botërore e Planifikimit Urban dhe 10 vjetori i themelimit të IPH-së

08 November 2013

foto

8/11/2013- Nën organizimin e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, përkatësisht Institutit të Planifikimit Hapësinor dhe në bashkëpunim me UN Habitatin dhe Organizatën Trashëgimia Kulturore pa Kufij-CHwB, është shënuar sot Dita Botërore e Planifikimit Urban. Me këtë rast është kremtuar edhe 10 vjetori i themelimit dhe punës së Institutit të Planifikimit Hapësinorë.

 

Zv. Ministri i MMPH, z.Shpëtim Rudi, e cilësoi shënimin e kësaj ditë si një ngjarje shumë të rëndësishme në kalendarin e ngjarjeve mjedisore duke e vënë në pah edhe rolin dhe punën e Institutit të Planifikimit Hapësinorë në sensibilizimin e opinionit të gjerë për rëndësinë e planifikimit urban në veçanti dhe planifikimit hapësinorë në përgjithësi.

 

Kryeshefi i AMMK-së, Dr.sc. Ilir Morina në fjalën e tij tha ndër të tjera se puna dhe rezultatet e   Institutit të Planifikimit Hapësinorë janë të një rëndësi të veçantë për zhvillimin e Kosovës, duke përmendur edhe disa nga dokumentet më të rëndësishme të hartuara nga ky institucion si Plani Hapësinorë i Kosovës, Plani Hapësinorë për PK Mali Sharr, Draft Plani Hapësinorë për zonën me rëndësi të veçantë “Ujëvarat e Mirushës”, Plani Hapësinorë për zonën me interes të veçantë “Beteja e Koshares”, Plani Hapësinorë për zonën me interes të veçantë “Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së Kleçkë dhe Divjakë”.

 

Me një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtuan edhe përfaqësuesja e UN Habitatit dhe përfaqësuesi i Organizatës Trashëgimia Kulturore pa Kufij zyra në Kosovë, të cilën e vlerësuan si shume të rëndësishme bashkëpunimin me Institutin e Planifikimit Hapësinorë, ndërkohë që Drejtori i IPH-së, Luan Nushi, pasi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje në këtë ngjarje, foli për të arriturat, sukseset dhe sfidat e Institutit të Planifikimit Hapësinor për gjatë 10 viteve të punës së tij dhe bëri të ditur që organizimi i kësaj ngjarje planifikohet të bëhet tradicionale dhe të shënohet me manifestime dhe aktivitete të ndryshme profesionale në lëmin e Planifikimit Hapësinor.

 

Pjesë e shënimit të kësaj ngjarje ishte edhe ndarja e shpërblimeve për tri fotografitë më të mira në kuadër të konkursit “Qyteti im, fotografia ime”.