196 - Lajmi Single | AMMK

Faleminderit prof.Dr. Sylë Tahirsylaj

28 October 2013

foto

28/10/2013- Sot në ambientet e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë përkatësisht Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, ka organizuar një ceremoni falënderuese dhe përshëndetëse për Drejtorin e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës prof.Dr. Sylë Tahirsylaj.

 

Ai ka dhënë dorëheqje nga pozita e Drejtorit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, dhe është përcaktuar të mbajë pozitën e profesorit të rregullt në UP në kuadër të zbatimit të kërkesës së rektorit të Universitetit të Prishtinës drejtuar stafin akademik të këtij Universitetit, që kanë dy marrëdhënie të rregullta pune në institucionet publike që të përcaktoheshin për mbajtjen e njërës nga këto pozita.    

 

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ku ishin të pranishëm edhe dy zëvendësministrat e MMPH-së, z. Ferat Shala dhe z. Shpëtim Rudi, Sekretari Permanent i MMPH-së, z. Arben Çitaku, Kryeshefi i AMMK-së, z. Ilir Morina si dhe zyrtarë tjerë nga AMMK dhe MMPH, u vlerësua se prof.Dr Sylë Tahirsylaj, ka dhënë një kontribut shumë të çmuar në ngritjen, zhvillimin dhe forcimin e IHMK-së në veçanti por edhe të MMPH-së në përgjithësi.

 

Me këtë rast zv.ministri i MMPH-së, z.Ferat Shala, ndër të tjera vlerësoi se prof.Dr. Sylë Tahirsylaj, me punën e tij ishte një shembull i kontributit që mundë të japin profesorët dhe njerëzit e profilit shkencor në ngritjen dhe zhvillimin e institucioneve të Kosovës. Ai potencoi ndër të tjera se angazhimi i drejtorit të IHMK-së, ka afirmuar punën e IHMK-së, jo vetëm në skenën nacionale por edhe në atë ndërkombëtare.

 

Ndërkaq, kryeshefi i AMMK-së, Ilir Morina, duke folur për kontributin e prof.Dr.Sylë Tahirsylajt, përmendi disa nga të arriturat më të mëdha që janë bërë në IHMK, përgjatë kohës sa ai ishte drejtor, duke veçuar sidomos kompletimin e rrjetit të monitorimit të ajrit, kompletimin e laboratorit me pajisje moderne si dhe kompletimin e rrjetit hidrometrik.

 

Duke përshëndetur të pranishmit që ishin prezentë në këtë ceremoni prof.Dr. Sylë Tahirsylaj shprehu falënderimin për mbështetjen dhe besimin që ka pasur nga MMPH gjatë punës së tij në pozitën e drejtorit të IHMK-së, si dhe  shprehu kënaqësinë që ishte pjesë e ngritjes dhe zhvillimit të IHMK-së.

 

Drejtori i IHMK-së, prof.Dr. Sylë Tahirsylaj, mbetet i njohur për të gjitha shtresat mbi të gjitha si një zë i pakontestueshëm në parashikimin e motit dhe në analizat e tij për gjendjen sinoptike në Kosovë.

 

Ai punoi si drejtor i IHMK-së që nga viti 1999. Gjatë kësaj kohe dha kontribut të çmuar jo vetëm në zhvillimin dhe avancimin e këtij institucioni por edhe në strukturimin e tij si një institucion në harmoni me kërkesat dhe nevojat e shtetit të Kosovës, e sidomos në ofrimin e të dhënave dhe informacioneve për hartimin e projekteve, strategjive dhe programeve kombëtare. Nën udhëheqjen e tij IHMK ka fituar statusin e vëzhguesit në kuadër të Organizatën Botërore të Meteorologjisë dhe është certifikuar në kuadër të EUMETSAT.