Zëvendësministri i MMPH-se, Ferat Shala e ka cilësuar si shumë të rëndësishëm projektin Studimi i ndotjes se tokes bujqësorë ne Kosovë
02 October 2013
02-10-2013-Sot ne ambientet e sallës se konferencave ne ndërtesën e re te Qeverise se Kosovës (ish Rilindja) është mbajtur takimi i pare promovues i projektit Studimi i ndotjes se tokes bujqësorë ne Kosovë. Ky është projekt i financuar nga Bashkimi Evropian që menaxhohet nga zyra e Bashkimit Evropian ne Kosove dhe realizohet nga organizata gjermane për bashkëpunim ndërkombëtar GIZ, dhe NIRAS nga Polonia.
Zëvendësministri i mjedisit, Ferat Shala përshëndeti fillimin e këtij projekti duke e cilësuar si shumë të rëndësishëm sa i përket të dhënave që do të dalin nga ky studim rreth shfrytëzimit dhe ruajtjes së qëndrueshme të tokës bujqësore si një resurs shumë i çmueshëm i zhvillimit agro-ekonomik të shtetit të Kosovës dhe përmirësimit të gjendjes së mjedisit në përgjithësi. Shala shtoi se beson se ky projekt do të nxjerrë të dhëna të vlefshme dhe të besueshme për të përcaktuar së në çfarë gjendje është toka jonë bujqësore dhe në çfarë mase mund të jenë të ndotura pjesë të ndryshme të saj.
Christof Stock, nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë tha se objektivë kryesore e këtij projekti është të mbështesë MMPH dhe MBPZHR në përmirësimin e sistemit të menaxhimit të tokave bujqësore dhe ofrimi i ndihmës në formimin e një sistemi permanent për monitorimin e ndotjes së tokave bujqësore. Ai konsideroi se projekti ALPS përfshinë edhe një komponent shumë të rëndësishëm, atë të studimit të detajizuar të tokës në 17 komuna, për të vlerësuar prezencën e metaleve të rënda në produktet bujqësore dhe ushqimore, dhe vlerësimin e mundësisë së përhapjes së këtyre ndotjeve në tek njerëzit.
Përndryshe, qëllimi kryesor i projektit ALPS është mbështetja e institucioneve qeveritare në drejtim të realizimit të vlerësimit të ndotjes së tokës bujqësore si element shumë i rëndësishëm për zbatimin e legjislacionit vendor lidhur me menaxhimin e tokës bujqësore dhe mbrojtjen e mjedisit. Nëpërmjet këtij projekti synohet të arrihet rifreskimi i legjislacionit përkatës, forcimi i kapaciteteve në stafin e MMPH, MBPZhR, Agjensioni për Mbrojtjen e Mjedisit te Kosoves, Institutit i Agrikulturës së Kosovës dhe Agjensionit i Ushqimit dhe Veterinarisë, në të gjitha aspektet që lidhen me analizimin e tokave bujqësore. Gjithashtu parashihet që të arrihen edhe rezultate në vlerësimin e detajuar në ndotjen e tokave bujqësore, identifikimin e burimeve, dhe rekomandimet për monitorimin dhe kontrollin e pjellorisë së tokës bujqësor.