190 - Lajmi Single | AMMK

Largohet kampingu veror nga Prevalla

16 September 2013

foto

16/09/2013- Ministri i MMPH-së, Dardan Gashi, ka marrë vendim për largimin e kampingut veror nga zona e Prevallës në Parkun Kombëtarë Sharri. Përmes këtij vendimi urdhërohet ndërmarrja private “Is Company” nga Prizreni dhe pronarët e tjerë, të largojnë objektet ilegale në zonën e kampingut veror në Prevallë.

 

Vendimi i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor urdhëron që në afat prej 15 ditësh të bëhet largimi i të gjitha objekteve montazh, të rrënohen të gjitha ndërtimet përcjellëse në kamp, të bëhet pastrimi i zonës së kampingut nga mbeturinat ndërtimore dhe të rehabilitohet sipërfaqja e degraduar natyrore konform peizazhit ekzistues në ngastrat 182, 2371, 2354, 2355, etj. të Zonës Kadastrale Gornjasellë.

 

Në vendim është precizuar po ashtu se në rast se “Is Company” nuk i largon objektet brenda afatit të caktuar, MMPH do ti rrënoj të gjitha objektet dhe shpenzimet do ti bartin kompania dhe pronarët e objekteve. Ky vendim i ministrit të MMPH-së erdhi pas paralajmërimit  se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë nduk do të lejojë degradimin e fshatit turistik “Prevalla” dhe zonën e Prevallës në përgjithësi. 

 

Në kuadër të angazhimeve për zbatimin e vendimit të MMPH-së, për ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve në zonën e Prevallës, ministri Dardan Gashi ka formuar dhe një task forcë e cila po merret veçmas me këtë çështje.  Aksionet fillimisht do të fokusohen me rrënimin e ndërtimeve pa leje dhe më pas do të shqyrtohet edhe problemi i atyre që kanë leje por që e kanë tejkaluar atë.