189 - Lajmi Single | AMMK

Mbyllet përkohësisht Shpella e Gadimes

09 September 2013

foto

09/09/2013- Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi sot mori vendim për mbylljen dhe ndalimin e të gjitha aktiviteteve në Monumentin e Natyrës me Rëndësi të Veçantë, Shpella e Gadimës, në Komunën e Lipjanit, për një afat të përkohshëm.

Vendimi u mor për shkak të veprimtarive të palejuara që po rrezikojnë karakteristikat dhe vlerat e kësaj pasurie kombëtare. Mbyllja e përkohshme u vendos si masë e përgjithshme për mbrojtjen e monumentit.

Si masë të parë për përmirësimin e menaxhimit të shpellës, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, do të themelojë Drejtorinë për Administrimin e Monumentit të Natyrës me Rëndësi të Veçantë, që do të ushtrojë veprimtarinë në pajtim me Ligjin për Mbrojtjen e Natyrës.

Përndryshe,  Shpella e Mermertë në Gadime të Ulët është një ndër shpellat më të bukura jo vetëm në Kosovë por edhe në Ballkan dhe më gjerë.  Në Shpellën e Gadimes paraqiten të gjitha llojet e stolive karakteristike për shpellat. Më së shumti ka stalagmite dhe stalaktite që paraqiten në të gjitha pjesët e shpellës, në forma dhe madhësi të ndryshme.

Shpella e Gadimes është vënë nën mbrojtje menjëherë pas zbulimit me 29 korrik 1969. Ndërsa në vitin 1982 është marrë vendimi për vënien në mbrojtje të Shpellës si gjeomonument me vlera të posaçme të natyrës.

Në vitin 2009, me vendim të Qeverisë së Kosovës (vendimi nr. 04/57), Shpella e Gadimes, vihet ne mbrojtje si Monument i Natyrës me rëndësi të veçantë. Sipërfaqja e mbrojtur e shpellës është 38.64,95 ha (ku 36.72, 21 ha është në pronësi shtetërore dhe 1.91,74 ha pronësi private ).

 

Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për vënien në mbrojtje të Shpellës së Gadimes.