06 September 2013
06/09/2013- Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim-UNDP zyra në Kosovë, ka përkrahur AMMK-në në implementimin e projektit për Zonimin e Parkut Kombëtarë Bjeshkët e Nemuna. Marrëveshja për implementimin e këtij projekti e nënshkruar në mes të Agjencionit të Kosovës për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Misionit në Kosovë të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim-UNDP, ndër të tjera parasheh mbështetjen financiare të aktiviteteve për zonimin e Parkut Kombëtarë Bjeshkët e Nemuna sikur janë vizitat në terren për hulumtimin e zonave me vlera natyrore, angazhimin e ekspertëve të jashtëm, angazhimin e studentëve praktikant dhe blerjen e pajisjeve të nevojshme.
Implementimi i aktiviteteve të projektit për zonimin e PK Bjeshkët e Nemuna ka filluar. Grupet të ekspertëve po vazhdojnë punën në terren për hulumtimin e vlerave natyrore të parkut, identifikimin e lokacioneve të llojeve të rralla bimore dhe shtazore si dhe realizimin e matjeve, dhe mbledhjen e materialit faktik nga terreni. Në përbërjen e këtyre grupeve përveç ekspertëve nga AMMK dhe MMPH, janë përfshirë edhe ekspertë të jashtëm nga Departamenti i Biologjisë dhe Departamenti i Gjeografisë i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, Fakulteti i Edukimit si dhe përfaqësues nga Organizatat Joqeveritare Mjedisore. Ekipet e ekspertëve do të bëjnë edhe analizimin e dokumenteve ekzistuese, hartave dhe materialeve tjera relevante dhe nga të gjeturat do të propozohen zonat e mbrojtjes së Parkut Kombëtar Bjeshkët e Nemuna.
Zonimi i parkut dhe përcaktimi i zonave me regjime të ndryshme të mbrojtjes është i paraparë me Ligjin për Parkun Kombëtar Bjeshkët e Nemuna. Sipas ligjit në park, duhet të vendosen 3 regjime mbrojtëse: Zona e parë e cila është pjesë e territorit me veçori të jashtëzakonshme natyrore që duhet të ketë karakterin e zonës së mbrojtjes strikte, zona e dytë e cila është pjesët e territorit që karakterizohen me ekosisteme dhe vlera tjera të natyrës ku mund të ushtrohen veprimtaritë që nuk janë në kundërshtim më qëllimet e mbrojtjes dhe zona e tretë e cila është pjesë ku lejohet shfrytëzimi i qëndrueshëm i paraparë për ndërtim të objekteve për pushim, rekreacion e turizëm dhe nevojat e banorëve për shfrytëzim të qëndrueshëm të të mirave të natyrës. Parku do të ketë edhe zonën e ndikimit, hapësira kjo që shërben për parandalimin e ndikimeve të dëmshme.
Duhet cekur po ashtu se UNDP, është duke mbështetur edhe zbatimin e projektit Konservimi i biodiversitetit dhe menaxhimi i përdorimit të qëndrueshëm të tokës në Dragash, në kuadër të të cilit janë duke u realizuar disa aktiviteteve në konsolidimin e Parkut Kombëtarë Mali Sharr sikur janë: Hartimi i Planit Menaxhues për Parkun Kombëtarë Mali Sharr, Hartimi i Planit Financiar dhe Planit të Biznesit për Parkun Kombëtarë Mali Sharr, Përgatitja e Atlasit të Zhvillimit të Qëndrueshëm si dhe Vlerësimi Ekonomik i Ekosistemeve të Komunës së Dragashit.