185 - Lajmi Single | AMMK

Rasti i Qendrës Protokollare Administrative në Gërmi së shpejti në gjykatë

07 August 2013

foto

07/08/2013- Gjatë muajit shtator të këtij viti pritet të mbahet seanca gjyqësore për rastin e Qendrës Administrative Protokollare (QAP) në Parkun e Gërmisë. Ndërtimi i këtij objekti kishte filluar në vitin 2005, mirëpo pas kundërshtimeve nga shoqëria civile dhe qytetarët por edhe për shkak të keqpërdorimeve tjera që e kishin përcjellë projektin, punimet ishin ndaluar.
 
Po ashtu gjatë vitit 2005, Koalicioni “Gërmia 2005”, i përbërë nga disa organizata joqeveritare mjedisore, kishte ngritur padi kundër Kuvendit të Kosovës si investitor dhe Komunës së Prishtinës që kishte lëshuar leje ndërtimi në zonën e mbrojtur të Gërmisë.
Koalicionin “Gërmia 2005”, e kishte dërguar rastin në gjykatë me pretendimin se Kuvendi i Kosovës  dhe Komuna e Prishtinës, përmes projektit të Qendrës Protokollare Administrative, përveç dëmtimit të peizazhit kanë bërë edhe shkeljen e ligjeve mjedisore. Kërkesa e tyre ishte kthimi i lokacionit në gjendjen e para ndërtimit për aq sa është e mundur dhe kryerja e një vlerësimi të pavarur të projektit.
Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës vazhdon të insistojë në përfundimin e projektit. Në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve për vitin 2014, ky institucion ka paraparë 80 mijë euro ndërsa për vitin 2015 ka përcaktuar shumën prej 100 mijë euro.
Përndryshe, për shkak të bukurive të rralla natyrore, vlerave burimore dhe estetike natyrore me rëndësi kulturore- arsimore, shkencore dhe turistike- rekreative,  Parku i Gërmisë është shpallur zonë e mbrojtur e natyrës në vitin 1987 nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, në kuadër të kategorisë Park Regjional i Natyrës me një sipërfaqe prej 1.126 ha. Aktualisht Komuna e Prishtinës e menaxhon Parkun e Gërmisë përmes ndërmarrjes “Hortikultura”, ndërsa mbikëqyrjen profesionale e bën Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës i cili vepron në kuadër të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës. Një pjesë të rëndësishme të sipërfaqes së mbrojtur e përfshinë zona për rekreacion dhe pushim.