24 April 2013
24/04/2013- Kryeshefi i AMMK-së, Ilir Morina po e përfaqëson Kosovën në kuadër të Forumit të 7-të për Transportin e Qëndrueshëm Mjedisor në Azi dhe në Konsultimet Globale për Transportin e Qëndrueshëm në Agjendat Zhvillimore pas 2015. Kjo ngjarje e rëndësishme mjedisore me karakter ndërkombëtarë organizohet nga Qendra e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim Rajonal, në bashkëpunim ne Ministrinë e Mjedisit të Japonisë dhe Ministrinë e Transportit të Indonezisë. Qëllimi kryesor i forumit është të vë në fokus çështjen se sa do të munden gjeneratat e ardhshme të ndërtojnë vizionin e një transporti të qëndrueshëm në Shekullin 21, duke i marrë për bazë kërkesat për mbrojtjen e mjedisit, nevojat sociale dhe trendët e zhvillimit ekonomik.
Forumi po mbahet në Bali të Indonezisë (23-25 Prill), dhe tri nga temat qendrore të diskutimit janë:
-Si munden vendet e Azisë të përmirësojnë politikat e tyre për transportin e qëndrueshëm mjedisor në harmoni me objektivat e Konferencës së Kombeve të Bashkuara RIO+20 ?
-Pse është i nevojshëm vizioni afatgjatë për reduktimin e ndotjeve dhe aksidenteve nga transporti për vendet Aziatike ?
-Sa do të jetë efikasiteti në arritjen e objektivave nga Deklarata e Bangkokut 2020 për transportin e qëndrueshëm?
Gjatë pjesëmarrjes në këtë Forum, kryeshefi i AMMK-së, ka realizuar takime të ndara me përfaqësues të institucioneve të ndryshme nga vendet Aziatike si Mongolia, Indonezia dhe Malajzia me të cilët ka diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave me theks të veçantë në mbrojtjen e mjedisit por edhe në zhvillimin ekonomik dhe në mbështetjen diplomatike.
Vlen të theksohet se në tryezën kryesore të përfaqësimit të shteteve pjesëmarrëse në Forum, Kosova është trajtuar e barabartë me të gjitha vendet tjera pjesëmarrëse dhe simbolet e saj kanë qenë të vendosura përkrahë shteteve tjera.