109 - Lajmi Single | AMMK

Shënohet 22 Marsi- Dita Botërore e Ujërave dhe 23 Marsi- Dita Ndërkombëtare e Meteorologjisë

23 March 2012

foto

22.03.2012- Me moton “Uji dhe ushqimi i sigurt”, nën organizimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë dhe në bashkërendim të aktiviteteve edhe me institucionet tjera u shënua - 22 Marsi Dita Botërore e Ujërave dhe 23 Marsi- Dita Ndërkombëtare e Meteorologjisë. Manifestimi qendror është mbajtur në ndërtesën e re të Qeverisë së Kosovës ku ishin të pranishëm përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, përfaqësues nga Kompanitë Publike të Ujit, përfaqësues të Organizatave Joqeveritare si dhe përfaqësues të institucione tjera që kanë përgjegjësi në fushën e ujërave.

 

Me këtë rast zv. ministri i MMPH-së, z.Ilir Mirena, vuri në pah se Kosova ka resurse të kufizuara të rezervave ujore dhe kjo lindë nevojën për shfrytëzimin e qëndrueshëm të këtyre resurseve.  Institucionet e Kosovës, por edhe qytetarët në përgjithësi, e kanë për obligim të ndiejnë përgjegjësi për veprimet dhe aktivitetet, të cilat ndërlidhen me resurset ujore, në mënyrë që t’i ruajnë, mbrojnë dhe t’i përdorin në  mënyrë racionale. Duke bërë këto veprime do të arrihet qëllimi për të pasur ujë të mjaftueshëm dhe cilësor. Drejtori i Departamentit të ujërave në MMPH, z. Naser Bajraktari  numëroi disa nga aktivitetet, projektet dhe angazhimet kryesore të MMPH-së në përmirësimin e kornizës ligjore dhe strategjike për manaxhimin e resurseve ujore.

 

Drejtori i Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, prof.Dr. Sylë Tahirsylaj, rikujtoi se me këtë rast shënohet edhe 23 Marsi Dita Ndërkombëtarë e Meteorologjisë. Në fjalën e tij ai iu referua më shumë monitorimit të resurseve ujore dhe ndërlidhjes së aspekteve meteorologjike me gjendjen e ujërave. Ai ka përmendur edhe të arriturat dhe sfidat e këtij instituti gjatë historikut të zhvillimit në Kosovë. Duke ju falënderuar donacioneve nga BE-ja në vlerë prej 3 milionë euro, Instituti Hidrometeorologjik është kompletuar me pajisje dhe instrumente me të cilat është mundësuar që të bëhen të gjitha analizat për ajrin, ujërat sipërfaqësore, nëntokësore dhe dheun, ka thënë ndër të tjera ai.

 

22 marsi është shpallur si Dita Botërore e Ujërave nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara që nga viti 1992. Kjo ditë zakonisht shfrytëzohet për të bërë thirrje dhe për të dërguar mesazhe për mbrojtjen dhe kursimin e resurseve ujore. Andaj edhe Agjencia e për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës i bashkohet thirrjeve, përpjekjeve dhe aktiviteteve që me rastin e kësaj dite organizohen anë kënd botës me qëllim  të ndërgjegjësimit të opinionit për mbrojtjen, ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve ujore. Sipas statistikave në botë vetëm 3 % e ujit është i freskët, ndërsa 97 % ndodhet në dete dhe oqeane. Vetëm 1 % e ujit që ndodhet në tokë është i pijshëm. Aktualisht gjendja në sektorin e ujërave në nivelin global është mjaft shqetësuese.  Sipas të dhënave, 18 % e popullsisë së botës, nuk kanë qasje në ujë të pijshëm dhe 40 % nuk kanë qasje në shërbimet e kanalizimeve. Rreth 2 milion fëmijë çdo vit që vdesin si pasojë e krizës së ujit. Vlerësohet se në vitet e ardhshme, sidomos në vendet në zhvillim, problemi i furnizimit me ujë, do të thellohet gjithnjë e më shumë për shkak të ndryshimeve klimatike dhe rritjes së popullsisë globale. Për këtë kërkohet marrja urgjente e masave, si në rritjen e investimeve në infrastrukturën ujore, në konservimin e resurseve ujore si dhe në skemat e riciklimit të ujit.