959 - Lajmi Single | AMMK

Udhëzues teknik për inventarizimin e trungjeve të vjetra

03 November 2026

foto

Trungjet e vjetra përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë natyrore të Republikës së Kosovës. Ato janë dëshmitarë të proceseve natyrore, historisë së peizazhit dhe zhvillimit të vendbanimeve, duke bartur njëkohësisht vlera të larta ekologjike, biologjike, shkencore, kulturore, historike dhe estetike.

Trungjet monumentale dhe trungjet e vjetra krijojnë habitate për një numër të madh organizmash, përfshirë shpendë, gjitarë të vegjël, insekte, kërpudha, likene dhe myshqe. Për shkak të përmasave të tyre, moshës shumëvjeçare dhe karakteristikave të veçanta biologjike, ato konsiderohen elemente me rëndësi të veçantë për ruajtjen e biodiversitetit.

Në zonat urbane, trungjet e vjetra kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së ajrit, zbutjen e efektit të ishullit të nxehtësisë, rregullimin e mikroklimës, reduktimin e zhurmës, thithin pluhurat dhe blozën, ndihmojnë në reduktimin e smogut nga trafiku, neutralizojnë gazrat  dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve. Shumë prej tyre janë të lidhura me ngjarje historike, monumente kulturore, objekte fetare ose tradita lokale, duke shtuar vlerën e tyre si pjesë e identitetit të komunitetit.

Megjithatë, urbanizimi, zhvillimi i infrastrukturës, ndryshimet klimatike, dëmtimet mekanike, sëmundjet dhe mungesa e menaxhimit sistematik kanë rritur presionin mbi këto vlera natyrore. Për këtë arsye, identifikimi dhe inventarizimi i tyre përbën hapin e parë dhe më të rëndësishëm drejt mbrojtjes dhe menaxhimit afatgjatë.

Udhëzuesi për Inventarizimin e trungjeve të vjetra si Monumente të natyrës me karakter botanik dhe Monumente të arkitekturës së parkut (trungje të vjetra urbane) në Republikën e Kosovës është i bazuar edhe në përvojën dhe praktiken të cilën Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës e ka aplikuar me rastin e evidentimit të vlerave të trashëgimisë natyrore, respektivisht Monumenteve te natyrës në territorin e Kosovës të cilat gëzojnë statutin e vlerave të mbrojtura të natyrës.

Ky udhëzues është hartuar për të standardizuar procedurat e inventarizimit të trungjeve të vjetra në Republikën e Kosovës, duke siguruar një metodologji të njëjtë për të gjitha komunat dhe institucionet përgjegjëse.

Qëllimet kryesore janë: identifikimi sistematik i trungjeve të vjetra me vlera botanike, ekologjike, historike dhe kulturore, krijimi i një metodologjie të unifikuar për inventarizimin në nivel kombëtar, krijimi i bazës kombëtare të të dhënave për trungjet e vjetra, mbështetja e procedurave për shpalljen e monumenteve të natyrës, mbështetja e planifikimit hapësinor dhe urban, sigurimi i të dhënave për menaxhimin dhe monitorimin afatgjatë dhe harmonizimi i praktikave të inventarizimit me standardet ndërkombëtare.

Për më shumë: Udhëzuesi teknik për inventarizimin e trungjeve të vjetra