20 November 2025
Në FSHMN u mbajt punëtoria Barkodimi i Biodiversitetit të Kosovës në funksion të monitorimit dhe konservimit, financuar nga Ambasada e SHBA, administruar nga KUSA. U mbajt punëtoria “Barkodimi i Biodiversitetit të Kosovës në funksion të monitorimit dhe konservimit”, aktivitet i realizuar në kuadër të projektit “Themelimi i Njësisë për Barkodimin e ADN-së në funksion të Monitorimit dhe Konservimit të Biodiversitetit në Kosovë”, i financuar nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë dhe i administruar nga Kosovo United States Alumni (KUSA).
Ekipi i Projektit (Prof. Halil Ibrahimi, Prof. Linda Grapci Kotori, Prof. Astrit Bilalli dhe Ass. Donard Geci) bashkë me Prof. Dr. Stephan Koblmüller nga Universiteti i Grazit, institucion partner u mirëpritën nga Dekani i FSHMN-së, prof. Kajtaz Bllaca, i cili vlerësoi rëndësinë e inicimit të laboratorit të ri dhe bashkëpunimit ndërinstitucional. Në hapje të punëtorisë, Dr.Afrim Berisha nga AMMK/MMPHI theksoi rëndësinë e integrimit të metodave të barkodimit të ADN-së në monitorimin dhe dokumentimin e biodiversitetit në Kosovë, duke nënvizuar se qasjet molekulare janë tashmë thelbësore për identifikim të saktë të specieve dhe menaxhim mjedisor.
Prodekani i FSHMN-së, prof. Ferim Krasniqi, vuri në pah rëndësinë që ky projekt ka për fakultetin, duke falënderuar ekipin për punën e madhe dhe rezultatet e arritura në ngritjen e kapaciteteve akademike dhe kërkimore.
Prof. Dr. Halil Ibrahimi, bartës i grantit të projektit, prezantoi vizionin dhe objektivat kryesore të iniciativës, duke folur mbi rëndësinë e barkodimit të ADN-së në studimet e biodiversitetit. Ai theksoi se metodat molekulare po bëhen thelbësore për identifikimin e saktë të specieve, zbulimin e diversitetit të fshehur dhe mbështetjen e programeve të monitorimit mjedisor në Kosovë.
Gjatë punëtorisë u prezantuan objektivat dhe rezultatet e projektit, si dhe rëndësia shkencore e barkodimit të ADN-së. Ligjërata kryesore u mbajt nga Dr. Stephan Koblmüller nga Universiteti i Grazit, ndërsa pjesa praktike u zhvillua në Laboratorin e Zoologjisë të Departamentit të Biologjisë, ku pjesëmarrësit u njohën nga afër me procedurat laboratorike dhe aspektet praktike të metodologjisë së barkodimit.
Ky aktivitet kontribuon drejtpërdrejt në avancimin e praktikave të monitorimit mjedisor dhe krijimin e kapaciteteve të reja shkencore në Kosovë.