14 November 2025
Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës përmes Institutit për Mbrojtjen e Natyrës së Kosovës ka organizuar punëtorinë me temën “Rëndësia dhe sfidat e shpalljes së Malit Mokna dhe Liqenit të Ujmanit - Zonë e mbrojtur ‘Park i Natyrës’”, me qëllim të diskutimit të aspekteve shkencore, ligjore dhe institucionale të këtij procesi të rëndësishëm për mbrojtjen e natyrës në Kosovë.
Në kuadër të punëtorisë ku përveç AMMK, morën pjesë përfaqësues nga Departamenti i Mjedisit të MMPHI, Instituti i Planifikimit Hapësinorë, Autoriteti Rajonal i Pellgjeve Lumore, Agjencia e Pyjeve të Kosovës, Policia e Kosovës, Ministria e Mbrojtjes dhe Komuna e Istogut, u diskutua mbi rëndësinë që ka shpallja e re e kësaj zone për ruajtjen e biodiversitetit dhe vlerave natyrore, politikat e Qeverisë së Kosovës dhe MMPHI për mbrojtjen e natyrës, sfidat ne menaxhimin e saj dhe bashkëpunimin ndërinstitucional në procesin e studimit, shpalljes dhe menaxhimin e kësaj zone të mbrojtur.
Në kuadër të punëtorisë u prezantua edhe puna e deritanishme në hulumtimin e vlerave natyrore në Malin Mokna dhe Liqenin e Ujmanit, i cili ka filluar të realizohet nga ekspertët vendorë në kuadër të kompanisë së kontraktuar, dhe njëkohësisht u potencua nevoja për ofrimin e të dhënave përkatëse nga institucionet relevante.
Punëtoria u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt koordinimit të veprimeve ndërinstitucionale, me synim që shpallja e zonës së mbrojtur “Mali Mokna dhe Liqeni i Ujmanit” të realizohet në përputhje me standardet ligjore, mjedisore dhe zhvillimore të Republikës së Kosovës.
Rikujtojmë së javë më parë me propozimin e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, Ministri i MMPHI ka marrë marrë vendim për mbrojtjen paraprake të kësaj zone.