04 November 2025
Me datën 19.10.2025. në zonën buferike të PK “Sharri” mbi fshatin Gotovush, nga një anëtar i Shoqatës Ekologjike nga Shtërpca, është gjetur lloji i shpendit Coftinari kokëbardhë (Gyps fulvus) në gjendje të rëndë fizike dhe shëndetësore. Për rastin është njoftuar DAPK “Sharri” dhe menjëherë zyrtarët e parkut nën përkujdesjen e zyrtarit për faunë, në bashkëpunim me personin e lartcekur, kanë siguruar strehimin, përkujdesjen shëndetësore nga veterinari dhe ushqimin e nevojshëm per zogun.
Nga ekzaminimet e kryera është konstatuar së Coftinari kokëbardhë i njohur ndryshe si Shkaba, ka qenë në gjendje të vështirë fizike si pasojë e fluturimit të gjatë dhe mungesës së ushqimit disa javor. Pas trajtimit shëndetësor, ushqyerjes dhe përkujdesjes një javore, Coftinari kokëbardhë është rehabilituar dhe në gjendje të mirë fizike dhe shëndetësore me datën 24.10.2025 është lëshuar (kthyer) në natyrë në zonën malore të Vërbeshticës. Procesi i lëshimit ka qenë i suksesshëm.
Gjatë këtij aktiviteti, përveç zyrtarëve të DAPK “Sharri” dhe anëtarëve të Shoqatës Ekologjike Shtërpcë, kanë marr pjesë edhe pjesëtarët e KFOR-it polak që veprojnë në komunën e Shtërpcës. Aktiviteti është koordinuar edhe me zyrtarët e Institutit për Mbrojtjen e Mjedisit të AMMK.
Karakteristika kryesore të coftinarit kokëbardhë
Coftinari kokëbardhë (Gyps fulvus), që njihet edhe me emërtime të tjera si shkaba, vulterida dhe grifoni, i takon familjes Acipitridae dhe është shpendi më i madh në territorin e Kosovës. Habitatet e këtij shpendi gjenden në Gadishullin Iberik dhe Ballkanik, në Azinë jug-perëndimore, rajonin e Kaukazit, Azinë e Vogël dhe territoret në veri të Afrikës. Në Kosovë kryesisht është i pranishëm në malin Sharr gjatë stinës së verës në kërkim të ushqimit. Në të kaluarën kanë qenë me numër më të madh, ndërsa tani numri i tyre është tejet i kufizuar si pasoj e zvogëlimit të fondit të bagëtive në kullosat e maleve të larta dhe kafshëve të egra (dhive të egra, kaprojve, etj.) të cilët kanë qenë ushqimi kryesor i tyre.
Coftinari kokëbardhë është një shpend jashtëzakonisht i madh, me një hap krahësh prej afërsisht 3 metrash, dhe peshë mesatare midis 7.5 dhe 8.5 kilogramësh. Në raste më të rralla mund të arrijë edhe 11 kg. Nuk shumohen në numër të madh, pasi që femra e këtij shpendi mban një vezë në vit. Është interesant fakti se coftinaret kokëbardhë janë partnerë besnikë, lidhjet e tyre janë monogame (më një partner) gjatë gjithë jetës. Jetojnë zakonisht deri në 40 vjet.
Coftinari kokëbardhë jetojnë në zonat malore me shkëmbinj dhe me pak vegjetacion, kryesisht në male, stepa, gjysmë-shkretëtira dhe kullosa. Folët i rregullojnë në shkëmbinj dhe shumë rrallë në kurorat e pemëve. Fluturojnë gjatë dhe shpesh kalojnë distanca të mëdha. Ushqehen kryesisht me coftina të kafshëve të egra dhe shtëpiake, ndërsa rrallë sulmojnë kafshë të gjalla dhe të shëndetshme. Në raste të rralla mund të sulmojnë një kafshë të lodhur, të vjetër ose të sëmurë. Ushqehet me brendësi dhe muskuj, (inde të buta). Ky shpend luan një rol shumë të rëndësishëm në zinxhirin ushqimor dhe është jashtëzakonisht i çmuar për ruajtjen e një ekosistemi të shëndetshëm. Ata janë pastrues të natyrës pasi që ushqehen me kafshët e ngordhura.
Masat për mbrojtjen e Coftinarit kokëbardhë
Mbijetesa e coftinarëve kokëbardhë në Kosovë është e rrezikuar. Për të rritur fondin dhe siguruar vandbanimin e përhershëm të tyre nevojitet krijimi i rezervateve të caktuara dhe sigurimi i vazhdueshëm i ushqimit në veçanti gjatë stinës dimërore kur ushqimi në natyrë është i pakët. Gjithashtu duhet të krijohet fondi i posaçëm për rehabilitimin e kafshëve të sëmurë dhe të lënduar siç ka qenë ky rast i coftinarit kokëbardhë në zonën e Gotovushës, që është rehabilituar dhe kthyer me sukses në natyrë nën menaxhimin dhe mbikëqyrjen e ekspertëve të natyrës të DAPK “Sharri”.
Duhet të merret për bazë edhe mundësia e bashkëpunimit me qendra të specializuara për këtë lloj shpendi në mënyrë që të përfitohen përvojat më të mira të strehimit, trajtimit shëndetësor, rehabilitimit dhe lëshimit (kthimit) në natyrë të shpendëve grabitqar që lëndohen apo dëmtohen në çfarë do mënyre.
.jpg)