853 - Lajmi Single | AMMK

Kosova në Raportin Mjedisi i Evropës 2025

01 October 2025

foto

Kosova që nga viti 2011 është anëtare e Rrjetin Evropian të Informacionit dhe Vëzhgimit Mjedisor (Eionet) të Agjencisë së Mjedisit të Evropës (EEA), raportuese dhe kontribuese me informacione dhe të dhëna mjedisore mbi gjendjen e mejdisit në Kosovë, të cilat së bashku me ato të vendeve të tjera anëtare dhe bashkëpunuese bëhen pjese e analizave të thelluara e konkretizuara në raportin pesë-vjecar të mjedisit europian. Edhe në raportin mbi Mjedisin në Evropë 2025, është ndjekur e njëjta praktikë, por me risi sa i takon mënyrës së konceptimit, strukturës, mjeteve të komunikimit, publikimit të gjetjeve e rezultateve të raportit, mesazheve që duhet të përjellë ky i fundit tek publiku dhe politikëbërësit etj.

Pjesë përbërëse e Raportit Mjedisi i Evropës 2025 janë edhe Profilet e Vendeve anëtare të rrjetit EIONET (32) dhe atyre bashkëpunuese (6) ku bën pjesë edhe Kosova.

Në profilin e raportit mes tjerash vlerësohet se Kosova është në një pikë kthese drejt qëndrueshmërisë mjedisore. Ka bërë hapa përpara në energjinë e rinovueshme, ekonominë qarkore dhe bujqësinë e qëndrueshme, megjithatë mbeten sfida si varfëria energjetike, varësia nga lëndët djegëse fosile, menaxhimi i mbetjeve dhe fragmentimi i tokës. Pyjet janë një burim i rëndësishëm i thithjes së karbonit, ndërkohe që kontributit i bujqësis në ndotje dhe emetime mbetet ende i ndjeshëm.   

Tranzicioni energjetik po përparon me investime në energjinë e diellit dhe atë të erës, si dhe me zbatimin e efiçiencës së energjisë të mbështetur nga fondet e BE dhe nga programet nacionale. Reformat në transport synojnë udhëtime më të gjelbra, ndërsa ekonomia qarkore, edhe pse në hapat e parë, po hapet përmes strategjive dhe inovacionit. Ndërgjegjësimi publik dhe përafrimi me politikat e BE-së e mbështesin këtë proces, por për të arritur objektivat klimatike e për të mbrojtur biodiversitetin, nevojitet shkallëzim i veprimeve në të gjithë sektorët. 

Afrim Berisha, Ushtrues detyre i drejtorit ekzekutiv të Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës deklaron se: “Ky raport prezanton përpjekjet e Kosovës dhe institucioneve të saj për të arritur objektivat që ndërlidhen me mjedisin dhe klimën dhe për të forcuar zbatimin e politikave përkatëse, por gjithashtu synon që të sygjerojë reformat e nevojshme për arritjen e qendrueshmërisë mjedisore”. 

Historiku 

Agjencia e Mjedisit të Evropës (EEA) publikon një raport mbi gjendjen e mjedisit çdo pesë vjet, siç parashikohet në rregulloren e saj. Mjedisi në Evropë 2025 është raporti i 7-të i këtillë, i publikuar nga EEA-ja që nga viti 1995. Ai ofron informacione të besueshme dhe të bazuara në shkencë se si duhet t'u përgjigjemi sfidave të mëdha dhe komplekse me të cilat përballemi, siç janë ndryshimi i klimës, humbja e biodiversitetit dhe ndotja e ajrit dhe ujit.  Raporti është përgatitur në bashkëpunim të ngushtë me Rrjetin Evropian të Informacionit dhe Vëzhgimit Mjedisor (Eionet) të EEA-së. Raporti bazohet në përvojën e gjerë të ekspertëve dhe shkencëtarëve kryesorë mjedisorë të Eionet në 32 vendet anëtare të EEA-së dhe gjashtë vendet bashkëpunuese. 

 

Për më shumë:

Përmbledhja kryesore e raportit Mjedisi i Evropës 2025 në formatin pdf