15 September 2025
Në kuadër të këtij buletini që ka për qëllim të informojë për aktivitetet kryesore të zhvilluara në kuadër të projektit përfshihet edhe aktiviteti për nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit në mes të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës dhe Institutit të Hidrometeorologjisë dhe Sizmologjisë të Malit të Zi.
Qëllimi i këtij memorandumi është zgjerimi i bashkëpunimit për fuqizimin e Sistemeve Kombëtare të Informacionit për Zjarret Pyjore, dhe lehtësimin e shkëmbimit të të dhënave përmes këtyre sistemeve.
Projekti ndërtimi i kapaciteteve për Zvogëlimin e Rreziqeve nga Katastrofat përmes Sistemit Kombëtar të Informacionit për Zjarret Pyjore (NFFIS) dhe Eco-DRR, ka për qëllim të fuqizojë kapacitetet e zyrtarëve qeveritarë në parandalimin dhe zbutjen e zjarreve pyjore dhe katastrofa të tjera natyrore përmes krijimit të NFFIS dhe Eco-DRR.
Një nga aktivitetet kryesore të projektit është zhvillimi i NFFIS (Sistemi kombëtar i informacionit për zjarret pyjore), që është një sistem i integruar ueb-GIS për parandalimin e zjarreve dhe paralajmërimin e hershëm që lejon shkëmbimin e informacionit me agjencitë përkatëse. Duke kombinuar informacionin satelitor dhe të motit me hartat topografike, është e mundur të monitorohet se ku ka të ngjarë të ndodhin zjarre, sa lehtë përhapen zjarret dhe sa e thatë është zona. Ky informacion mund të përdoret për paralajmërim të hershëm.