806 - Lajmi Single | AMMK

UNICEF lansoi raportin "Analizë mbi Gjendjen Klimatike për Fëmijët në Kosovë"

07 November 2024

foto

Në ngjarje morën pjesë Presidentja e Kosovës, Dr. Vjosa Osmani Sadriu, Koordinatorja për Zhvillim e OKB-së, znj. Arnhild Spence, ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë, Afrim Berisha, të rinjët dhe përfaqësues të tjerë vendorë e ndërkombëtarë.

Temperaturat mesatare në Kosovë janë rritur me 2–3°C që nga vitet 1950 dhe pritet të rriten deri në 4–8°C deri në fund të shekullit. Kjo ngrohje sjell valë të shpeshta të të nxehtit, reshje të paparashikuara dhe mungesa të mëdha uji, duke prekur më së shumti fëmijët në zona si Ferizaj e Prizren, ku ata përballen me ndotje të lartë të ajrit dhe ujit.

“Ndryshimet klimatike po ndikojnë negativisht në jetën e fëmijëve tanë. Është shqetësuese të shohim që vetëm 0.03 USD shpenzohen për çdo fëmijë në projekte që trajtojnë sfidat e ndryshimeve klimatike që prekin fëmijët. Kjo nuk është proporcionale me atë që aspirojmë për ta. Prandaj jam këtu, për të bërë thirrje për veprim dhe për të bashkuar forcat për të përmirësuar këtë situatë. Përgëzoj UNICEF-in për këtë raport dhe për punën e tyre të shkëlqyer. Shpresoj që ky raport të na udhëheqë për të bërë më shumë për fëmijët, të jemi gjithëpërfshirës dhe të sigurohemi që pas fjalëve të ketë gjithmonë veprime konkrete,” – theksoi Presidentja e Kosovës, Dr. Vjosa Osmani Sadriu.

Ndërkaq, udhëheqësja e UNICEF-it në Kosovë, Veronika Vashchenko, tha se ndikimi i ndryshimeve klimatike në Kosovë më shumë po i prek fëmijët nga komunitetet e cenueshme, si rom, egjiptian dhe ashkali. “Këto ndikime tek fëmijët, prekin kryesisht fëmijët nga komunitetet e cenueshme, rom, egjiptian, ashkali të cilët tashmë janë të cenueshëm dhe jetojnë në komunitete të margjinalizuara. Fëmijët janë shumë më shumë sesa viktima. Fëmijët janë agjentët e ndryshimit. Ata janë që mund të bëjnë ndryshimin, të sjellin ndryshimin dhe të sjellin ndryshimet për të ardhmen… Rreth 4.2 miliardë fëmijë pritet të lindin në 30 vitet e ardhshme, ata nuk do të kenë klimë normale. Duke i vendosur fëmijët në qendër të veprimeve tona jo vetëm që do të mbrojmë mirëqenien e fëmijëve, por do të kemi edhe ekonomi më të qëndrueshme”, theksoi ajo.

Kurse, koordinatorja e OKB-së për zhvillim, Arnhild Spence, tha se Kosova duhet të angazhohet më shumë në agjendën e gjelbër. “Kosova përfiton nga agjenda e gjelbër e BE-së dhe besoj fuqishëm që projekti për ndryshime klimatike për fëmijët do të marrë rol kryesor. Kombet e Bashkuara kanë mënyra të ndryshme që të kontribuojnë drejt ndryshimeve klimatike dhe ofrojnë mbështetje për qeverinë në zbatimin e kontributeve kombëtare. Objektivi ynë është që Kosova të zvogëloj emitimin”, deklaroi Spence.

Në anën tjetër, ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë, Afrim Berisha, tha se fëmijët në Kosovë po ndikohen në mënyrë të drejtpërdrejtë nga temperaturat e larta, si pasojë e ndryshimeve klimatike. “Një nga grupet e shoqërisë sonë që po rrezikohen nga ndryshimet klimatike janë fëmijët. Jemi dëshmitarë se fëmijët po ndikohen në mënyrë të drejtpërdrejtë nga temperaturat e larta, valët e të nxehtit, sidomos në zonat urbane, madje edhe në ambientet e tyre shkollore. Fëmijët po ndikohen në mënyrë direkte nga përmbytjet dhe vërshimet që ndodhin në zonat e ndjeshme të përfshira nga këto dukuri dukuri ekstreme të motit”, theksoi ai.

Për më shumë: Analizë mbi Gjendjen Klimatike për Fëmijët në Kosovë