18 October 2024
Përfaqësuesit e AMMK, përkatësisht, Drejtori i Drejtorisë për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri” – z. Bajram Kafexholli, Drejtori i Drejtorisë për Administrimin e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”- z.Fatmir Morina, dhe Zyrtari ligjor i AMMK, - Z. Ali Sefaj, janë pritur në takim nga përfaqësuesit e Federatës së Motoçiklizmit të Kosovës.
Me këtë rast përfaqësuesit e Federatës së Motoçiklizmit të Kosovës u njoftuan mbi rregullat ligjore dhe ndalesat e lëvizjes së motoçiklistëve brenda territorit të Parqeve Kombëtare. Po ashtu ata u njoftuan edhe për masat ndëshkuese të parapara për mos respektimin e rregullave përkatëse.
Ky takim është realizuar në kuadër të aktiviteteve për mbrojtjen e resurseve natyrore të Parqeve Kombëtare nga veprimet ilegale dhe të kundërligjshme sikurse janë lëvizjet e motoçiklistëve në zonat e mbrojtura në territorin e parkut, si dhe rritjen e bashkëpunimit me institucionet e ndryshme për parandalimin e këtyre aktiviteteve.
Takime të ngjashme për të rritur bashkëpunimin dhe për të informuar palët mbi rregullat e veprimit dhe lëvizjes në territorin e Parqeve Kombëtare do të mbahen edhe në të ardhmen edhe me palë tjera të interesit.