19 October 2018
19.10.2018- Në këto ditë kur është intensifikuar prerja ilegale e pyjeve në Parqe Kombëtare, rojet e natyrës së këtyre zonave të mbrojtura janë angazhuar maksimalisht për kontrollin e gjendjes dhe parandalimin e prerjeve dhe dëmtimit të vlerave natyrore të parqeve.
Mirëpo gjatë punës në terren rojet po përballen me probleme të natyrave të ndryshme përfshirë edhe sulmet fizike nga grupet e dëmtuesve të pyjeve që prerjen ilegale të pyjeve dhe tregtimin e drurit e kanë shndërruar në biznes.
Rastet e fundit ishin ato të ditës së djeshme, përkatësisht sulmi ndaj rojtarëve të natyrës të PK “Sharri” në regjionin e Suharekës, Jemin Shala dhe Ali Dakaj, të cilët janë sulmuar fizikisht nga këto grupe të organizuara dhe kanë marrë lëndime trupore, dhe e ai i gjuajtjes me armë zjarri në drejtim të rojeve të natyrës në regjionin e Kaçanikut.
Në lidhje me të dy rastet është informuar Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit të cilët janë duke hetuar rastet. Me këtë rast Agjencia për Mbrojtjen eMjedisit të Kosovës përkatësisht Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtarë “Sharri”, kërkon nga organet kompetente që me prioritet të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për sjelljen e këtyre personave para drejtësisë. Gjithashtu kërkohet që të ndërmerren masat e nevojshme për parandalimin e rasteve të tilla dhe ofrimin e sigurisë së nevojshme për rojtarët e natyrës.
Njëkohësisht kërkohet nga institucionet përgjegjëse të Qeverisë së Kosovës, që me qëllim të ruajtjes së resurseve të Parqeve Kombëtare të cilat janë shpallur me ligj të veçantë për mbrojtjen e këtyre vlerave të rralla të natyrës, të shikojnë mundësinë e rritjes së numrit të rojeve të natyrës, pajisjen e tyre ma armë dhe kompensimin e rrezikshmërisë në punë.