04 June 2018
04.06.2018- Në mbështetje nga Agjencioni Ndërkombëtarë Suedez për Zhvillim (SIDA), në kuadër të Programit Mjedisor për Kosovën, një delegacion i AMMK ka realizuar vizitë studimore në Suedi, për të marrë përvojat për sektorin e mjedisit nga ky vend.
Në kuadër të vizitës janë realizuar takime me institucione suedeze të nivelit qendrore, rajonale dhe lokal për tu njoftuar lidhur me organizimin institucionale, kornizën ligjore dhe programore si dhe për procesin e monitorimit, raportimit dhe informimit të publikut për mjedisin.
Agjencia e Mjedisit e Suedisë, Instituti Suedez i Mjedisit, Shërbimi Gjeologjik Suedez, Administrata Regjionale e Stokholmit dhe Komunave Nacka dhe Horby, kanë qenë institucionet ku janë realizuar vizita dhe janë marrë përvojat.
Gjatë kësaj vizite studimore janë realizuar edhe vizita praktike për të parë nga afër implementimin e objektivave të caktuara mjedisore. Të tilla ishin vizita në Impiantin për trajtimin e ujërave të ndotura në Kappala dhe vizita në Parkun Kombëtarë Tyresta.
Përvoja nga praktikat e riciklimit të mbeturinave janë prezantuar para pjesëmarrësve nga Kosova, nga Departamenti i Mjedisit i Tetra Pack Nordics, ndërsa që është realizuar një takim edhe me Departamentin e Mjedisit të Agjencionit Ndërkombëtar Suedez për Zhvillim, ku është diskutuar për mundësitë e realizimit të projekteve, bashkëpunimin dhe përfitimit të fondeve për të ardhmen në sektorin e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike.
Kjo vizitë studimore e realizuar në kuadër të komponentës: “Forcimi i kapaciteteve tëAMMK-së, për Monitorim, Vlerësim dhe Raportim Mjedisor” të Programit Mjedisor për Kosovën, ishte një mundësi e mirë për të parë nga afër praktikat e një vendi të Bashkimit Evropian në menaxhimin e mjedisit me fokus në monitorimin e mjedisit dhe sistemin informativ mjedisor.