17 March 2016
17.03.2016- Edhe këtë vit Kosova po merre pjesë ne panairin e turizmit Destinacionet natyrore në Paris (17 20 mars). Pjesëmarrja dhe prezantimi i Kosovës në këtë panair është si rezultat i mbështetjes dhe bashkëfinancimit nga Ambasada e Francës në Kosovë, në partneritet me USAID-in (Projekti ifuqizimit të sektorit privat), Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit (AMMK) dhe Agjencia e Promovimit të Bizneseve dhe Investimeve në Kosovë (KIESA). Ky është viti i tretë që Kosova prezantohet në këtë panair, iniciativë kjo e nisur dhe e organizuar fillimisht në vitin 2012 nga AMMK.
Gjatë këtij edicioni që nga sot e deri 20 mars, pesë operatorë turistikë të Kosovës do ti paraqesin publikut francez ekskursionet dhe shtigjet e ecjes. Edicioni i sivjemë do të jetë një mundësi për të promovuar shtrirjen në Kosovë të rrjetit rajonal të shtigjeve të ecjes i njohur si Via Dinarica.
Panairi Destinacionet e natyrës, është një prej panaireve më të rëndësishme në fushën e turizmit malorë dhe aktiviteteve në natyrë në Evropë, prandaj pjesëmarrja në këtë ngjarje ka rëndësi të veçantë për Kosovën. Prezantimi i bukurive natyrore të Kosovës, diversitetit kulturor, dhe vlerave tjera që bartë në vete vendi ynë, përveç rëndësisë turistike është një mundësi e mirë e promovimit dhe përmirësimit të imazhit të vendin në Evropë dhe më gjerë.